LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri i Malit të Zi do ta vizitojë Kosovën

Kryeministri i Malit të Zi do ta vizitojë Kosovën

Një zyrtar për media i Qeverisë së Malit të Zi ka konfirmuar ftesën që Kryeministri Haradinaj i ka bërë kolegut të Malit të Zi, Dushko Markoviq që ta vizitojë Kosovën.

Srgjan Kusovac nga Zyra për media e Qeverisë së Malit të Zi ka thënë se data e vizitës do të dakordohet nga dy kabinetet qeveritare.


Sipas gazetës së Podgoricës “Vijesti”, termini i kësaj vizite nuk është dakorduar ende. Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se një termin i përafërt është dakorduar ndërmjet Haradinajt dhe Markoviq dhe se vizita do të ndodhë ndërmjet 20 dhe 30 janarit të vitit të ardhshëm.

Zyrtari malazez, duke e konfirmuar takimin e Haradinajt dhe Markoviqit në Bruksel, megjithatë ka thënë se shefi i qeverisë malazeze nuk ka ndryshuar qëndrim rreth demarkacionit.

“Kryeministri Markoviq me këtë rast kolegut Haradinaj i ka thënë se në lidhje me demarkacionin e kufirit qëndrimi i Qeverisë së Malit të Zi nuk do të ndryshojë dhe i ka bërë thirrje Kosovës që ta ratifikojë në Parlament marrëveshjen që është edhe nga adresat më të larta në Bruksel dhe Uashington”, ka thënë Kusovac.