LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri francez kërkon për qetësi nga ‘Jelekë e Verdhët’ (Foto/Video)

Kryeministri francez kërkon për qetësi nga ‘Jelekë e Verdhët’ (Foto/Video)

Kryeministri francez, Edouard Philippe është zotuar “t’i rikthejë unitetin kombit” pas dhunës që shpërtheu gjatë fundjavës së katërt radhazi të protestave masive në vend.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës të shtunën, dita më e fundit e demonstratave të “Jelekë Verdhëve” kundër rritjes së taksës së karburantit dhe kostos së lartë të jetesës në vend.


Rreth një mijë njerëz janë shoqëruar në rajonet policore, megjithëse dhuna nuk ishte e të njëjtit nivel si një javë më parë, kur u shkatërrua thuajse gjithçka, pa shmangur as dëmtime të “Harkut të Triumfit”.

“Dialogu me protestuesit paqësor duhet të vazhdojë. Asnjë taksë nuk duhet të vërë në dyshim unitetin e vendit tonë. Tashmë na duhet të punojmë për të rikthyer këtë unitet përmes dialogut, punës dhe duke u mbledhur së bashku”, tha kryeministri francez, Philippe.

Sipas tij, presidenti Emmanuel Macron, “kokën” e të cilit po kërkojnë tashmë protestuesit, shpejt do të prezantojë “masat e reja për të bërë të mundur dialogun”.

Ministri i Brendshëm i Francës, ndërkohë, Christophe Castaner, lavdëroi policinë për përpjekjet e saj për përmbajtjen e pjesës më të madhe të trazirave.

Në një postim të orëve të vona të së shtunës, Macron falënderoi forcat e sigurisë për “kurajon e tyre dhe profesionalizmin e pashembullt”.

Por çfarë ndodhi të shtunën? Rreth 125 mijë njerëz dolën në rrugë për të marrë pjesë në marshimet anembanë vendit, sipas asaj që njoftoi Ministria e Brendshme. Afro 90 mijë oficerë ishin vënë në gatishmëri, përfshi 8 mijë në Paris, aty ku u përdorën edhe 12 mjete të blinduara.

Në kryeqytetin francez pati rreth 10 mijë protestues, ndërsa pamja e ofruar ishte nga më shkatërrimtaret. Xhama dyqanesh u thyen, automjete u dogjën dhe dyqane të shumta u vodhën. Pamjet filmike treguan protestuesit teksa qëlloheshin me plumba gome, edhe në fytyrë madje. Por, mes të goditurve ishin edhe tre pjesëtarë të shtypit, sikurse edhe 17 oficerë policie. /Telegrafi/