Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të keqpërdorimit të ujit të pijshëm, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj të gjithë shkelësve, përcjell Telegrafi.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se gjatë inspektimeve të fundit në Viti, Kamenicë dhe rrethinë, ekipet e saj kanë hasur raste të përdorimit të ujit për qëllime të paautorizuara, si larja e rrugëve, automjeteve dhe ujitja e sipërfaqeve, në një kohë kur kërkesat për furnizim janë shumë të larta.




“Hidromorava” rikujton se çdo përdorim i ujit jashtë nevojave bazike, si dhe çdo lidhje ilegale, përbën shkelje të rregulloreve në fuqi dhe dëmton drejtpërdrejt furnizimin për qytetarët tjerë.

Kompania ka paralajmëruar rritjen e kontrolleve në terren dhe ka bërë të ditur se ndaj keqpërdoruesve do të ndërmerren masa të menjëhershme, përfshirë edhe shkyçjen pa paralajmërim.

Nga “Hidromorava” u bëhet thirrje qytetarëve për bashkëpunim, me qëllim të garantimit të një furnizimi të qëndrueshëm me ujë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/