Kroacia feston, në mesnatë bëhet anëtare e BE-së

Në Zagreb në mbrëmje u organizua manifestimi i madh në të cilin ishin zyrtarë të lartë të BE-së e të vendeve të BE-së, si dhe përfaqësuesit më të lartë të shteteve të rajonit, në mesin e të cilëve edhe ata të Kosovës, nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, transmeton Koha.
Në sheshin kryesor të Zagrebit janë vendosur disa bina në të cilat kanë filluar dhe do të vazhdojnë deri në mëngjes të paraqiten 681 performues. Gjatë tërë natës në ndërtesat në këtë shesh qendror janë lëshuar video projeksione, kurse si ëmbëlsirë për adhuruesit e shkencës është vendosur edhe transformatori i Nikolla Tesllës, si shembull i krijimtarisë së jashtëzakonshme të shtetasve të Kroacisë.
Sipas medieve kroate, kjo festa e kësaj nate do të kushtojë 6 milionë kuna, përkatësisht rreth 850 000 euro. Ndryshimet e sistemit juridik dhe atij të vlerave, si dhe toleranca ishin tema kryesore të fjalëve përshëndetëse dhe dollive të darkës së presidentit Ivo Josipovic, dhe kryeministrit Zoran Milanovic drejtuar mysafirëve.
Josipovic falënderoi qytetarët e institucionet kroate, por edhe zyrtarët e BE-së dhe të shteteve të BE-së, por në mënyrë të veçantë edhe Ballkanin Perëndimor me fjalët: “Me të gjitha fuqitë do të mbështesim perspektivën tuaj evropiane”.
“Interes i Kroacisë është që të jetojmë bashkërisht në zonën e paqes dhe prosperitetit, dhe angazhimi për futjen e juaj në BE mbetet një nga qëllimet tona politike më të rëndësishme”, tha presidenti i Kroacisë. /Telegrafi/

















































