KRM Ambienti fton qytetarët e Pejës, Klinës dhe Istogut të përditësojnë të dhënat personale
Kompania KRM Ambienti u ka bërë thirrje qytetarëve të Pejë, Klinë dhe Istog që të paraqiten në njësitë e saj përkatëse për të përditësuar të dhënat personale në sistemin e kompanisë.
Sipas njoftimit, përditësimi i të dhënave të klientëve është një proces i rëndësishëm si në aspektin operacional ashtu edhe në atë ligjor, pasi ndikon në saktësimin e të dhënave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
“Përditësimi i të dhënave të klientëve është një proces i rëndësishëm për shumë arsye, si në aspektin operacional dhe ligjor, ashtu edhe për përmirësimin e shërbimeve që ofrohen ndaj klientëve”, thuhet në njoftim.
Nga kompania bëhet e ditur se ky proces ndihmon në verifikimin dhe saktësimin e të dhënave personale, në parandalimin e gabimeve në faturim dhe pagesa, si dhe në ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më të sakta për qytetarët.
Qytetarët që paraqiten për përditësimin e të dhënave duhet të kenë me vete kopje të letërnjoftimit, një kopje të ndonjë fletëpagesëje, si dhe të plotësojnë formularin përkatës në zyrë.
“KRM Ambienti” ka paralajmëruar se në rast se të dhënat nuk përditësohen, kompania nuk do të mbajë përgjegjësi për gabime të mundshme në llogaritje apo për procedura të tjera administrative dhe ligjore.
“Përditësoni të dhënat sot dhe shmangni problemet nesër”, thuhet në apel. /Telegrafi/


























