Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë para punëtorëve të Trafikut Urban, të cilët po protestojnë për shkak të mosrealizimit të pagesave tash e disa muaj.

I pari i kryeqytetit ka hedhur akuza ndaj Qeverisë në detyrë të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, si dhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.


Sipas tij, qeveria ka bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës, çka ka shkaktuar krizë në nivele të ndryshme administrative të kryeqytetit.

“Po më vjen shumë keq se në çfarë niveli na ka pru kjo qeveri me bllokadë dhe e ndjej shumë për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar për punën që e keni bërë për gjithë këta muaj për me i shërby qytetarëve të kryeqytetit, përkundër sabotazhave, përkundër bllokadave”, tha Rama, raporton Telegrafi.

“E di që edhe ne, sikur ju, sikur me pas rrogën tënde në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos me t’i lëshua paret. Kështu edhe qeveria po bën ndaj komunës”.

“Paratë tona, të cilat i kemi të gatshme, nuk po na i lëshon për me i kry detyrimet tona ndaj jush. Prandaj, problemi është atje”, ka shtuar kryetari i Prishtinës. /Telegrafi/