Kriza klimatike është e vetmja çështje

Edhe pse çdo gjë dukej nën kontroll, një kaos i papritur shpërtheu në zyrën tonë. Turistë të veshur për vjeshtë u përballën me kushte të dimrit në majat e Alpeve Shqiptare, teksa bora mbuloi bjeshkët gjithandej. Britanikë, gjermanë, singaporas e izraelitë u detyruan të ndryshojnë itinerarin - një lëvizje e bardhë e qiellit që përmbysi planet e tyre dhe tonat.
Bora në shtator apo tetor, në lartësi, nuk është ndonjë risi. Por, një shtresë gati gjysmë metri që mbetet për dhjetë ditë me radhë - kjo është diçka e re. Një kujtesë e ftohtë se klima nuk pyet për kalendarin tonë.
Për ne, kjo do të thotë: anulime, zhvendosje, riorganizime. Një hotel më pak, një tjetër më shumë. Një udhëtim i shtyrë për vitin tjetër. Një goditje nën brez nga nëna natyrë për biznesin tonë. Por, falë menaxhimit të kujdesshëm dhe mungesës së ekstravagancës, kjo goditje nuk u kthye në humbje që do të preknin punësimin, investimet apo fondet tona për përgjegjësi sociale. Preku vetëm profitin - e ai nuk është prioriteti ynë.
Në qytete, goditja ishte më e heshtur, por po aq e thellë: ndërprerje të energjisë, mungesë ngrohjeje, tollovi në rrugë, dhe qindra mijëra euro të humbura.
Kjo nuk është e para. Në qershor, një valë e ftohtë zhduku lulet e pemëve në Kosovë, duke ulur ndjeshëm prodhimin. Çmimet u ngritën. Sipas Komisionit Evropian, inflacioni në ushqim në vitin 2025 është 3.5 përqind më i lartë se inflacioni i përgjithshëm. Në tregjet botërore, kafeja - ajo aromë e mëngjeseve tona - është rritur me 50 përqind, më shumë se për ar që u rrit 45 përqind.
Mirë se vini në botën e re, ku çdo javë është e paparashikueshme dhe çdo stinë një bast. Kjo është bota që po krijon kriza klimatike.
Në kompaninë tonë, këtë rrezik e kemi llogaritur gjithmonë. E kam llogaritur edhe kur isha kryetar bordi në një kompani fintek. Është rrezik real, i sotëm, jo i ardhshëm.
Fatkeqësisht, në Kuvendin e Kosovës kemi 118 njerëz të papërgjegjshëm që e shohin botën vetëm në ngjyrat e partive të tyre. Asnjëri nuk e sheh që kriza klimatike është sfida e shekullit tonë - që ndikon çmimet, bujqësinë, energjinë dhe jetën tonë të përditshme. Nuk ka plan, nuk ka përgatitje. As mediat nuk e trajtojnë. Nuk kam parë asnjë emision serioz për këtë temë në dhjetë vjetët e fundit - ndoshta është shumë e ndërlikuar për “mendjet e ndritura” të redaktorëve tanë.
Krahasuar me klimën, çështjet për të cilat zihemi çdo ditë janë të dorës së tretë. Përgatitja për krizën klimatike nuk kërkon ideologji - kërkon pragmatizëm: më shumë energji të pastër, menaxhim të ujit, bujqësi që i reziston motit. Këto janë investime që do të rritnin prodhimin kombëtar dhe do të ngrinin standardin e jetesës.
E, në fund, do të na bënin të qëndrueshëm - para klimës, para vetes, dhe para historisë. Me përgatitje ne do të ishim homo sapiens, ata që adaptuan rrethin për vete e jo ata që iu adaptuan natyrës.

















































