LAJMI I FUNDIT:

Kriza ekonomike e Turqisë ndjehet në tregjet botërore

Kriza ekonomike e Turqisë ndjehet në tregjet botërore

Një luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë rreth një pastori amerikan të ndaluar, tashmë po shkakton pasoja në ekonominë botërore. Një rënie e ndjeshme e vlerës së lirës turke, së bashku me inflacionin dhe rrezikun e falimentimit të kredive, po kërcënojnë të tërheqin në vorbull edhe ekonomitë e tjera, veçanërisht tregjet në zhvillim.

Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, Cindy Saine, problemet e Turqisë po shkaktojnë efekte zinxhir deri në vende si Argjentina dhe Indonezia, duke ndikuar në vlerën e monedhave aziatike dhe shkaktuar luhatje të vlerave të monedhave në mbarë botën.


Ishte një javë e trazuar për tregjet globale, me rënien e aksioneve të premten në Evropë dhe pamje të përzierë në Azi, ku tregjet në zhvillim si India dhe Indonezia, janë veçanërisht të prira të ndikohen nga efektet e ekonomisë së trazuar turke.

Shtetet e Bashkuara e kanë kërcënuar Turqinë me sanksione të tjera, nëse nuk lirohet pastori Andrew Brunson. Megjithatë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të fajësohen për problemet ekonomike të Turqisë.

“Situata financiare e Turqisë është krijuar prej shumë kohësh. Daton që para vendosjes së sanksioneve të vendosura me 1 gusht”, thotë Nauert.

Analistët pajtohen se problemet ekonomike të Turqisë janë më të thella dhe e kanë fillesën para kundërshtisë së tanishme mes presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe presidentit Donald Trump.

“Struktura e ekonomisë së Turqisë është e paqëndrueshme, në kuptimin që bazohet kryesisht në rritjen e shpejtë, tek kreditë e lira, mbështetja tek projektet në sektorin e ndërtimit dhe pjesa më e rrezikshme, është se ajo varet tek borxhi i jashtëm, kryesisht në dollarë. Me rënien e vlerës së lirës përballë dollarit, me 40 përqind vetëm këtë vit, kjo e bën më të komplikuar dhe më të kushtueshme për Turqinë që t’i paguajë borxhet”, thotë Amanda Sloat, analiste në Institutin Brookings.

Investitorët po vërejnë me kujdes lidhjet mes Tuqisë dhe vendeve të Azi-Paqësorit, që janë mes 20 burimeve kryesore të importeve të Tuqisë, të udhëhequara nga Kina.

“Nuk do të kemi një krizë si e viteve 90-të, sepse nuk rrezikojmë nga efekti zinxhir i Turqisë që kishte mes vendeve kryesore aziatike në vitet 90-të. Por mendoj se forcimi i kritereve të huamarrjes globale dhe kushtet e likuiditetit do të kenë pasoja negative për tregjet në zhvillim, sepse ato kanë qenë përfituesit kryesorë nga kreditë botërore dhe nga lëvizja e fondeve gjatë viteve të fundit”, thotë James Bevan, specialist investimesh me firmën CCLA.

Megjithatë, shumica e analistëve mbeten thellësisht të shqetësuar rreth ekonomisë së Turqisë, veçanërisht nëse firmat turke do të jenë në gjendje të paguajnë huatë. /VOA /Telegrafi/