LAJMI I FUNDIT:

Krijimi i imazhit të Shqipërisë nga udhëpërshkruesit britanikë

Krijimi i imazhit të Shqipërisë nga udhëpërshkruesit britanikë

Në fillim të shek. XIX një pjesë e territorit të Ballkanit, i cili filloi të njihej me emrin Shqipëri dhe Greqi, nxiti interesimin për vizita të një numri të konsiderueshëm të intelektualëve britanikë. Këta ishin udhëpërshkruesit e parë të cilët po e vizitonin Greqinë për shkak të anticitetit të saj dhe Shqipërinë, kryesisht për shkak të Ali Pashë Tepelenës që ia kishte kthyer shpinën Perandorisë Otomane dhe kishte themeluar shtetin e vet.

Udhëpërshkruesi i parë britanik që shkroi për Shqipërinë ka qenë William Martin Leake (1777-1860) të cilin qeveria britanike në vitin 1799 e dërgoi në Stamboll që t’ju ndihmonte otomanëve në organizimin e mbrojtjes nga sulmet e Francës që udhëhiqeshin nga Napoleoni. Leake ka qenë ushtarak dhe topograf i cili nga viti 1804 deri më 1807 qëndroi në Greqi dhe Shqipëri dhe shkroi për këto dy vende. Vepra e tij ‘Travels in Northern Greece’ (Udhëtimet në Greqinë Veriore) u botua në katër vëllime dhe pati jehonë të madhe në Britani. Kjo ishte arsyeja që Leake u popullarizua në mesin e aristokracisë dhe intelektualëve britanikë. Prandaj, Leake u bë iniciator që shumë britanikë tjerë e vizituan rajonin, gjegjësisht Shqipërinë. Leake, për shkak të njohurisë që kishte për Shqipërinë u emërua konzull në oborrin e Ali Pashës në Janinë dhe funksionoi nën titullin zyrtar: Konsulli Britanik në Shqipëri.


Dy vizitorë tjerë të cilët së bashku e vizituan Shqipërinë kanë qenë Lord Byron (1788- 1824) dhe John Cameron Hobhause, i njohur edhe me emrin Lord Broughton (1786-1869). Nga kjo vizitë Hobhause në vitin 1813 boti veprën e tij të njohur ‘A Journey through Albania, and Other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople, during the years 1809 and 1810’ (Një udhëtim nëpër Shqipëri dhe provincat tjera të Turqisë në Evropë, Azi dhe Kontantinopol gjatë viteve 1809 dhe 1810). Hobhouse më vonë u zgjodh edhe deputet në parlamentin britanik dhe shërbeu në poste të ndryshme shtetërore. Lord Byron ishte i njohur si poet por famë i solli Shqipëria ku u inspirua ta shkruante poemën ‘Childe Harold’s Pilgrimage’ që hyri në historinë e letërsisë botërore si ndër poemat më të mira deri sot.

Leake, Cameron dhe sidomos Lord Byron me veprat e tyre sollën pamjet e para të Shqipërisë dhe shqiptarit në Britani të Madhe. Por, këta dhe udhëpërshkruesit që pasuan, sollën edhe pamjen e Greqisë. Në copa të ndryshme filloi të ndërtohet imazhi i Shqipërisë që i përngjante një mozaikut të papërfunduar. Udhëpërshkruesit, sikur edhe shumë intelektualë evropianë, sidomos ata britanikë, kishin ndërtuar një perceptim për Greqinë dhe kulturën e lashtë të saj të cilën dëshironin ta ringjallnin dhe adaptonin si kulturë të tyre në Evropë. Megjithatë, këta udhëpërshkrues u dëshpëruan me Greqinë dhe grekët kur panë se, në realitet, situata ishte ndryshe nga ajo që e kishin ndërtuar në mendjet e tyre. Greqia dhe grekët nuk iu dolën aspak antikë siç ishin perceptuar dhe ky fakt krijoi dëshpërim për ta. Shqipëria, për të cilën udhëpërshkruesit nuk kishin njohuri e as paragjykime, doli befasi e këndshme.

Befasia e parë ishte shtrirja etnike e shqiptarëve e cila ne jug shkonte deri në Atikë përfshirë edhe Athinën. Ky ishte një aspekt i hapësirës gjeografike që zinin shqiptarët dhe që u përcoll në opinionin britanik. Pastaj, të gjithë vizitorët britanikë duke e përshkruar pamjen, sjelljet, gjuhën dhe traditën, kontribuuan në krijimin e imazhit të shqiptarit. Shqipëria dhe shqiptarët u paraqitën edhe në skicat, vizatimet apo pikturat e Edward Learit (1812-1888) i cili qëndroi në tokat shqiptare në vitin 1848.

Deri në fund të shekullit XIX Shqipërinë e vizituan një dyzinë apo më shumë udhëpërshkruesish dhe është vështirë të thuhet se cili prej tyre kontribuoi më shumë në krijimin e imazhit të shqiptarit dhe Shqipërisë në Britani të Madhe. Megjithatë, nuk kishte ndonjë dallim të madh në mënyrën se si i shihnin shqiptarët këta udhëpërshkrues. Në mënyrë dërmuese, shqiptarët në këto përshkrimeve paraqiten si njerëz që nuk kanë ngjashmëri me popujt tjerë. Në veprat e këtyre udhëpërshkruesve, shqiptarët kanë pamje të egër, janë të bukur, të veshur në mënyrë madhështore, kanë shprehi të pazakonshme dhe flasin një gjuhë të çuditshme që nuk është e ngjashme me asnjë tjetër. Mbi të gjitha, shqiptarët janë të armatosur deri në dhëmbë dhe gatshëm për incidente dhe luftë. Pra, karakteristika e të qënurit luftarak është cilësia që nuk e harrojnë ta përmendin asnjë nga udhëpërshkruesit.

Përshkrimi i shqiptarëve si individ dhe si popull që kanë bërë udhëpërshkruesit, është kryesisht pozitiv. Kur britanikët u dëshpëruan me atë që panë në Greqi, filluan t’i përshkruanin grekët në mënyra pezhorative. Në shumicën e rasteve nuk përshkruhen më mirë as popujt tjerë sllavë. Por, shqiptarët dalin kryesisht me pamje pozitive dhe kjo është mënyra se si ata qëndrojnë edhe sot në literaturën e këtij lloji dhe të asaj kohe. Shqiptarët janë shikuar me sy pozitiv për shkak të qëndrimit dhe veprimeve që kishin ndaj Perandorisë Otomane dhe relacionit që kishin udhëpërshkruesit me këtë perandori. Shumica e udhëpërshkruesve kishin respekt për otomanët për shkak se deri në Kongresin e Berlinit (1878), por edhe më vonë, Perandoria Otomane ishte në aleancë apo miqësi me Perandorinë Britanike. Për këtë arsye, shqiptarët, pasi që ishin luftarak, shiheshin si mbrojtës të perandorisë. Por, edhe ata që nuk kishin disponim pozitiv për otomanët, gjenin arsye t’i paraqisnin shqiptarët si popull madhështor pasi që kishte shumë raste që shqiptarët me kryengritje të tyre e refuzonin sundimin otoman. Ky ishte një fakt që e shtyri David Urquhartin (1805-1877), një udhëpërshkrues tjetër shumë i rëndësishëm, të konkludonte se sulltani e kishte vështirë ta dallonte nëse shqiptarët ishin miq apo armiq të tij.

Udhëpërshkruesit paraqitën edhe shtrirjen etnike apo hapësirën gjeografike të Shqipërisë. Sipas shumicës së tyre, në jug Shqipëria fillonte diku nën Prevezë dhe në veri përfundonte mbi Tivarin, gjegjësisht në gjirin e Kotorrit. Për shkak të përzierjes etnike, kufiri lindor i shtrirjes së shqiptarëve ishte problematik për shumicën e udhëpërshkruesve. Por, të gjithë pajtoheshin se kufiri duhet të ishte diku në mes të Maqedonisë së sotme. Henry Holland, po ashtu me veprën e ti e prezantoi Shqipërinë në Britani ku e theksoi problemin e kufirit lindor të shqiptarëve. Megjithatë, James Henry Skeene ofroi përshkrim të një hapësire më të madhe gjeografike pasi që ai e konsideroi si territor që banohej me shumicë shqiptare edhe një pjesë të madhe të Greqisë së sotme.

Skeene ka përdorur tri parime me të cilat i klasifikoi popullatën e Ballkanit apo ‘Turqisë në Evropë’. Nga ky kriter i klasifikimit dolën tri grupe të popujve. Në grupin e parë bënin pjesë osmanlitë kurse në të dytin grekët. Shqiptarët ishin grup në vete pasi që, sipas tij, nuk mund të hynin në asnjërin e dy grupeve të para. Megjithatë, Skeene e potencoi një problem që ekzistonte atëherë e madje vërehet edhe sot. Skeene ishte ndër të parët që vuri në pah se shqiptarët ishin grupi apo populli më i panjohur dhe nuk e tërhiqnin vëmendjen e Evropës.

Henry Tozer e pranoi dhe insistoi që teoria e Boppit dhe e Hahnit, e cila konsistonte se gjuha shqipe formonte degën e pavarur të gjuhëve të familjes indo-evropiane, të merrej si e saktë. Sëkëndejmi, kjo teori sugjeronte që shqiptarët ishin populli i vetëm që lidheshin me ilirët madje edhe me pellazgët. Tozer kësaj teorie i jep peshë duke e cituar Strabon por edhe disa shkrime të autorëve tjerë antikë.

Megjithatë, askush nuk hyri në histori sikur Lord Byroni, i cili, në veprën e tij dhe letrat e dërguara miqëve dhe nënës së tij, madje edhe e idealzoi Shqipërinë dhe shqiptarët. Asnjë nga udhëpërshkruesit nuk shfaqi më shumë dashuri dhe respekt për shqiptarët. Por, në mënyrë të gabueshme Byroni sot njihet si njeriu që në Britanni të Madhe shpërndau dashuri vetëm për Greqinë në të cilin vend shkoi për të luftuar për pavarësinë e tij, dhe ku vdiq.

Në realitet Shqipëria ka qenë dashuria e madhe e Byronit. Dy kantot e para të poemës së tij që u botuan në Londër në mars të vitit 1812 krijuan sensacion dhe e befasuan opinionin britanik. Botimi i shtrenjtë dhe lukzos i poemës ku kryesisht paraqitej Shqipëria si subjekt por më shumë si inspirim, u shitë brenda tri ditësh. Kjo e shtyri Byronin ta thoshte atë shprehjen e famshme: ’Një ditë kur u zgjova në mëngjes, e pashë veten të famshëm’.

Me qëllim që ta prezantonte pamjen e Shqipërisë si më të afërt dhe më të akcepueshme në mesin e britanikëve, Byroni e krahasoi Shqipërinë me Skocinë. Malet e Shqipërisë i paraqiti si të ngjashme me ato të Kaledonisë. Ndryshimi i vetëm ishte klima më e volitshme që kishin malet e Shqipërisë. Shprehitë dhe veshjet e shqiptarëve, madje edhe gjuha e tyre, sipas tij, ishin të ngjashme me keltët e dikurshëm apo skocezët sotshëm. Në mënyrë që tregonte se si dukeshin shqiptarët, në vitin 1813 Byroni e veshi kostumin shqiptar që e kishte blerë ne Prevezë dhe qëndroi para piktorit të njohur, Thomas Phillips, i cili e pikturoi dhe veprën e quajti: ‘Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian’ (Portreti i një fisniku në kostumet e një shqiptari). Ky portret qëndroi një kohë të gjatë në galerinë më të famshme në Royal Academy por pas një kohë përfundoi në zyrat e ambasadës britanike në Greqi ku gjendet edhe sot. Pasi që kjo pikturë u popullarizua aq shumë, më vonë u punua edhe një e tillë e cila sot dërgohet nëpër ekzpozita. Pra, për shkak të portretit të Byronit, bota pati mundësi të shihte se si dukej një shqiptar kurse për shkak të poemës së tij dhe shkrimeve tjera mund të shiheshin edhe vyrtytet e shqiptarit dhe territori ku ai jetonte e që quhej Shqipëri.

Nga kjo u duk sikur që Shqipëria do ta kapte imagjinatën e britanikëve dhe do të krijonte efekt të madh në opinion por nuk ndodhi ashtu. Ndikimi u vërejt vetëm në literaturë dhe atë gjatë viteve të ardhshme por nuk pati ndonjë efekt në opinion ose në politikë siç pati prezantimi i Greqisë për të cilin vend intelektualët britanikë treguan entuziazëm të madh.

Udhëpërshkruesit britanik nuk kanë kontribuar vetëm në ndërtimin e imazhit të Shqipërisë në Britani. Veprat e tyre ndikuan pozitivisht edhe patën ndikim të madh edhe të shqiptarët si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë politik. Edhe pse kontaktet e zakonshme në mes britanikëve dhe shqiptarëve mungonin, pothuajse të gjithë udhëpërshkruesit kanë shënuar një simpati të madhe për Britaninë në mesin e shqiptarëve. Madje, personalitetet shqiptare edhe orvateshin që të themelonin miqësi ose aleancë me shtetin britanik. Por, veprat e udhëpërshkruesve e pasuruan edhe historiografinë, antropologjinë, linguistikën dhe gjeografinë shqiptare. Në veçanti pjesa e botimeve të gjeografisë, historisë dhe sidomos ajo e linguistikës patën ndikim të madh mbi ideologët shqiptarë të cilët filluan procesin e nacionalizmit. Sami Frashëri, Vaso Pasha dhe shumë rilindas tjerë i kanë shfrytëzuar të dhënat e këtyre udhëpërshkruesve si referenca që vinin nga burime të paanshme evropiane për t’ju dhënë rëndësi apo peshë shkencore programeve kombëtare apo veprave tjera të tyre.

Për shkak të efektit që pati Ali Pasha ndaj udhëpërshkruesve, territoret të cilat ai i kishte vënë nën sundim, u quajtën Shqipëri. Byroni, por edhe tjerët i quajtën këto territore edhe me emrin Iliria. Me këtë term u theksua rëndësia e Shqipërisë jo vetëm në aspektin gjeografik por edhe në atë të prejardhjes së shqiptarëve. Shumica e udhëpërshkruesve kanë theksuar prejardhjen ilire të shqiptarëve i cili fakt u pranua edhe u eksplorua me të madhe nga rilindasit shqiptarë.

Deri në gjysmën e shekullit XIX udhëpërshkruesit britanik vinin në Shqipëri të jugut nëpërmes Korfuzit dhe Maltës pasi këto dy vende gjendeshin nën sundim të tyre. Numri i atyre që e vizituan veriun ishte më i vogël. Një nga ta, Edmund Spencer, pjesën veriore e quajti Shqipëria e Epërme. Të gjithë ofronin madhësi të ndryshme gjeografike të Shqipërisë por atë që në fakt e përshkruanin këta udhëtarë ishte Pashallëku i Janinës dhe ai i Shkodrës. Që të dy këto pashallëqe njiheshin si Shqipëri për shkak se udhëhiqeshin nga shqiptarët dhe se shumica e banorëve ishin të tillë. Më vonë, një vit para Kongresit të Berlinit (1878) ky territor, me disa ndryshime (me gjerësi më të mëdha në veri), u nda në katër njësi administrative që u konsideruan edhe si vilajetet shqiptare. Ky ka qenë territori mbi të cilin ideologët e nacionalizmit shqiptar e konstruktuan idenë e ndërtimit të shtetit shqiptar.

Karakteristikat tjera që u morën si elemente për t’i karakterizuar shqiptarët nuk ndihmonin gjithmonë në paraqitjen e pamjes së vërtetë. Për shkak të religjionit disa nga udhëpërshkruesit nuk e kishin të lehtë t’i dallonin shqiptarët nga fqinjët e tyre. Megjithatë, gjuha ishte elementi më i fuqishëm që i dallonte shqiptarët nga popujt tjerë. Pra, kriteri i religjionit për të shënuar identifikimin ose dallimin e shqiptarëve nga tjerët, nuk tregohej gjithmonë efikas. Për shkak të këtij kriteri, disa nga udhëtarët i përshkruanin shqiptarët si turq ose pjesëtarë të Kishës greke nëse ishin të krishterë. Këtu fjala turk përdoret për të cilësuar religjionin (islam) të shqiptarit e jo përkatësinë e tij etnike. Sqarimin e këtij konfuzioni Lord Byron e bënë në një letër që ia dërgon nënës së tij së cilës i shkruan: ’Ata [shqiptarët] nuk janë të gjithë turq; disa fise janë të krishterë. Por, religjioni krijon dallime të vogla në mënyrën se si ata sillen’. Shprehja që Byron e përdorë për shqiptarët, pos asaj ‘Albanian’, është edhe ‘Albanese’ ose ‘Arnavut’.

Religjioni për Byronin nuk kishte rëndësi. Ai e kishte vërejtur se religjioni nuk kishte domethënie të madhe as për shqiptarët. Prandaj, në këtë segment duhet kërkuar lidhjen e tij pasionuese me shqiptarët dhe ky ishte një nga shumë faktet që shqiptarët e impresionuan Byronin.

Për shkak të Byronit, Shqipërinë do ta vizitonin shumë britanikë, përfshirë Benjamin Disraelin, një 30-vjeçar i cili më vonë do të bëhej udhëheqës i Partisë Konservative dhe do të shërbente dy mandate si kryeministër i Perandorisë Britanike. As Disraeli nuk e qante kokën për religjion dhe u fascinua nga shqiptarët më shumë se Byroni. Disraeli gjatë vizitës së tij në vitin 1830 u njoh edhe me problemin shqiptaro-grek dhe i identifikoi mirë që të dy grupet. Kjo ishte arsyeja që në Kongresin e Berlinit, Disraeli e refuzoi kërkesën greke për zgjerim në drejtim të Shqipërisë dhe nuk deshi të dëgjonte ‘arsyet’ e Francës dhe Rusisë se Janina ishte ‘greke’. Disraeli e kishte parë vet Janinën, të cilën, në shënimet e tija e quajti kryeqytet të Shqipërisë.

Një vit më vonë Shqipërinë e vizitoi edhe David Urquhart, shkrimtar dhe diplomat që më herët kishte shërbyer si sekretar në ambasadën britanike në Stamboll. Urquhart, në librin e tij ‘The spirit of the East’ ka bërë një analizë të thellë të çështjes shqiptare por që sot është harruar nga britanikët dhe nuk është i njohur as në mesin e shqiptarëve. Urquhart bënte pjesë në ekipin konservativ të Disraelit dhe mundohej të ndikonte në politikën britanike në mënyrë që ajo të ishte antiruse. Ky grup i shihte shqiptarët si digë natyrale kundër depërtimit rus në Ballkan, i cili depërtim ishte në dëm të interesave britanike.

Sidoqoftë pak vite para Kongresit të Berlinit imazhi dhe klima politike e favorshme për shqiptarët, që krijuan konservativët, u mund nga grupi i Partisë Liberale të cilën e udhëhiqte William Gladstone i cili shërbeu tri herë si kryeministër i qeverisë britanike. Gadstone, i cili i kushtonte religjionit rëndësi të madhe, e vizitoi Shqipërinë në vitin 1858 por nuk i pëlqeu asgjë në këtë vend.

Liberalizmit politik të Gladstoneit në vitin 1861 i erdhi në ndihmë libri ‘Travels in the Slavonic Provinces of Turkey in Europe’ (Udhëtimet në provincat sllave të Turqisë evropiane) të autoreve Georgina Mackenzie dhe Paulina Irby. Libri, duke i favorizuar sllavët dhe denigruar shqiptarët myslimanë, sidomos ata katolikë, kishte për qëllim minimin e autonomisë ose pavarësisë së Shqipërisë. Prandaj, ky libër u bë një lloj manifesti i politikës liberale britanike.

Ky ishte një qëndrim aspak i volitshëm për ndërtimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë dhe që dominoi deri vonë në opinionin britanik. Natyrisht që tendencat konservative për të ndikuar në krijimin e një opinion në dobi të shqiptarëve nuk u shuan por ato nuk mund të mateshin me ato liberale. /Telegrafi/