“Krenari dhe përgjegjësi” – mbrojtësi i talentuar Sami Blakqori flet pas ftesës në Kosovën U16

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U16, Mehmet Kurda, ka publikuar listën e futbollistëve për turneun zhvillimor të UEFA-s, i cili do të zhvillohet në Tiranë nga data 20 deri më 25 prill. Në këtë listë bie në sy emri i mbrojtësit të talentuar të Llapit, Sami Blakqori, i cili vazhdon të tërheqë vëmendjen me paraqitjet e tij premtuese.
Kosova U16 do të garojë në një grup me Shqipërinë, Andorrën dhe San Marinon. Të gjitha ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në ambientet moderne të “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, dhe për Blakqorin kjo paraqitje është një hap i madh në karrierën e tij.
Blakqori është një mbrojtës i gjithanshëm, që mund të luajë në skema me dy apo tre mbrojtës qendrorë, duke shfaqur qëndrueshmëri taktike, vizion të zhvilluar për lojën dhe shpejtësi të admirueshme.
Ai konsiderohet një prej talenteve më premtues në repartin defensiv dhe një aset i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar.
Në një prononcim për Telegrafin, Blakqori u shpreh i emocionuar për këtë ftesë, por edhe krenar.
“Është një nder dhe emocion i madh të përfaqësoj vendin tim. Të jesh pjesë e Kosovës nuk është vetëm përgjegjësi, por edhe krenari e veçantë për mua dhe familjen time”, deklaroi ai.
I vendosur dhe i motivuar për të dhënë më të mirën, ai shton: “Pres të jap maksimumin në çdo ndeshje, të luajmë si ekip dhe të marrim rezultatet që i meritojmë. Është mundësi e mirë për të treguar forcën tonë si Ekip i Kosovës”.
Duke folur për rolin e tij në fushë, ai tregon qartësisht gatishmërinë për të kontribuar kudo që t’i kërkohet
“Pozita ime natyrale është mbrojtës qendror, apo në formacione me tre mbrojtës. Jam gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin, kudo që më kërkohet nga trajneri”, nënvizoi Blaqkori.
Me një qëndrim profesional dhe cilësi të larta në fushë, Sami Blakqori po ndërton me hapa të sigurt një të ardhme premtuese, ku ky turne mund ti hap shtigje të reja në karrierë.
Turneu në Tiranë pritet të jetë një tjetër mundësi që ky talent i Llapit të dëshmojë potencialin e tij përballë ekipeve ndërkombëtare./Telegrafi/














































