Mbrojtja nga rrezet e diellit është një nga faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të lëkurës dhe për parandalimin e dëmtimeve afatgjata.

Kështu tha gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hosopital, dermatologia Rejhane Bislmi-Berisha.


Bislimi-Berisha tha se mbrojtja nga rrezet ultraviolet është thelbësore për të parandaluar dëmtimet e lëkurës, plakjen e parakohshme dhe probleme të tjera dermatologjike.


“Përdorimi i kremrave kundër diellit është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet ultraviolet, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të ndryshme në lëkurë”, theksoi Bislimi-Berisha.

Ajo shpjegoi se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj rrezeve të diellit pa mbrojtje mund të ndikojë jo vetëm në shfaqjen e njollave dhe rrudhave, por edhe në rritjen e rrezikut për probleme më serioze dermatologjike.

“Rrezet UV ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën e lëkurës dhe mund të shkaktojnë plakje të parakohshme, por edhe ndryshime të tjera që duhet të merren seriozisht”, tha dermatologia.

Bislimi-Berisha theksoi se një nga keqkuptimet më të mëdha është se kremrat mbrojtës duhet të përdoren vetëm gjatë verës.

“SPF duhet të përdoret çdo ditë, gjatë gjithë vitit, sepse rrezet ultraviolet janë të pranishme edhe kur moti është me re apo gjatë stinëve të tjera”, u shpreh ajo.

Sipas dermatologes, përdorimi i rregullt i kremrave mbrojtës është një nga hapat më të rëndësishëm të rutinës së kujdesit për lëkurën.

“Një rutinë e mirë për kujdesin ndaj lëkurës duhet të përfshijë gjithmonë mbrojtjen nga dielli, sepse kjo është një nga mënyrat më efektive për ta mbajtur lëkurën të shëndetshme”, përfundoi Bislimi-Berisha.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com