LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 7° cloudy

“Krejona”, një shfaqje që lartëson lirinë e shprehjes përmes artit eksperimental

“Krejona”, një shfaqje që lartëson lirinë e shprehjes përmes artit eksperimental

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren të mërkurën mbrëma ka prezantuar premierën e shfaqjes “Krejona”, të autorit dhe regjisorit Kaltërim Balaj. Në këtë projekt laborator, të realizuar si shfaqje kamertale trajtohet rëndësia e lirisë së shprehjes për qenien njerëzore, përkatësisht për shqiptarët e Kosovës që në kohërat e shtypjes e kanë manifestuar atë përmes emrave të fëmijëve të tyre.

Kjo vepër eksperimentale i është nënshtruar një laboratori në zë, në tekst, regji e lojë. Prandaj dhe organizatorët nga publiku i pranishëm në Prizren para fillimit të shfaqjes kanë kërkuar fikjen e telefonave në tërësi.

Një gjë e tillë ka qenë e domosdoshme për audiencën për ta shijuar, por edhe për të qenë pjesë e shfaqjes, duke qenë të ulur në karriget e vendosura në skenën e teatrit, raporton Telegrafi.


Shfaqja e regjisorit Balaj nuk ka qenë përshkruese, por asociative me zgjedhje figurative, të interpretuara me shumë emocione nga aktorët Alban Krasniqi, Edona Sopaj, Alban Morina dhe Alban Çela, derisa pjesë integrale si instrumentist në kontrabas dhe në piano ka qenë edhe Lulzim Lushtaku.

Aktorët kanë sjellë çdo emocion me një ndjeshmëri prekëse, duke krijuar lidhje të fuqishme me publikun përmes interpretimit të tyre autentik, që është ndërlidhur në mënyrë të fuqishme edhe me muzikën e ekzekutuar nga Lushtaku. Bashkë ata kanë krijuar një ritëm dinamik mes momenteve dramatike dhe atyre të qeta, apo në raste të rralla komike, duke thelluar ndikimin emocional te publiku.

Në thelb kjo vepër artistike tregon se si pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë gjatë vitit 1981, shqiptarëve të Kosovës u është ndaluar shpërfaqja e mendimeve të tyre në publik dhe se si për ta kapërcyer këtë trysni ata i thonë mendimet e tyre përmes një mediumi tjetër, pra duke u vënë emra që përmbajnë mesazhe fëmijëve të tyre, si për shembull: Krejona (Kosova Republikë e jona), Agim, Qëndresë, Durim, Lirim, etj.

Dhe kjo gjetje për një kohë kalon pa u vërejtur nga sistemi i atëhershëm politik derisa merr jehonë dhe problematizohet deri në shkallën e mos regjistrimit të emrit. Dhe pos mos regjistrimit nis edhe të përbuzet dhe të bullizohet fëmija i cili bart një emër të tillë, duke e bërë edhe atë objekt të shtypjes.

Për autorin dhe regjisorin e shfaqjes, Kaltërim Balaj kjo çështje ka qenë një preokupim sentimental.

“Sot kur liria e shprehjes është kulminante, kur nuk guxon që të kontestohet, kur e gëzojmë atë, është mirë që ta kthejmë kokën pas dhe ta kuptojmë sesa e rëndësishme qenia njerëzore e ka lirinë e shprehjes”, ka thënë Balaj për Telegrafin.

Sipas tij është e çuditshme kur e dëgjon një emër të shqiptarit të Kosovës dhe e din se cilës kohë i takon, çfarë moshe përafërsisht ka, meqë ky emër tingëllon si patriotik dhe me mesazh brenda.

“Këtu ka qenë filli, kam filluar të mendoj, dhe kjo më është shndërruar në preokupim. Sepse si regjisor i teatrit, unë e përdori teatrin si medium për me u shpreh, për ti thënë gjërat e mia. Në kohën kur janë ndaluar të gjitha mediumet, kur shqiptarët janë persekutuar për atë që kanë thënë, ata kanë krijuar një medium të ri, pra shprehjes përmes emrave të fëmijëve”, ka deklaruar Balaj.

Sipas tij kur nevoja e qenies njerëzore është aq e madhe për tu shprehur ai nuk i përfill objektet si mediume, nuk e përfill hapësirën, masën, por e krijon një mënyrë për të folur, për ta thënë atë që mendon.

“Pra kur i shikojmë emrat, në kohën kur është dashur të mbrohet shqiptarizmi, edhe para vitit 68 edhe para vitit 81, ka qenë kjo lëvizje e gjetur e shqiptarëve ku medium e kanë pas fëmijën e vet, ku fjalët shqipe janë jetësuar në emra, me porosi të ndryshme. Dhe kjo ka qenë gjetje fantastike e një populli se si me u shpreh”, ka bërë të ditur Balaj.

Mirëpo autori thotë se e ka menduar edhe anën tjetër të medaljes, respektivisht se si vazhdon mediumi apo se çfarë ndodh me atë fëmijë që e mban këtë emër, dhe se cilat janë sfidat e prindit dhe të fëmijës.

“E kemi pas vështirë me thanë për 50 e diçka minuta gjithë këtë temë të ndërlikuar, por besoj se kemi arritur me sukses që ta përçojmë mesazhin në mënyrë artistike”, ka thënë Balaj për Telegrafin.

Sipas tij ky është vetëm një dimension i lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës, por me të cilin mund të komunikohet gjithkah në botë.

“Ne e kemi kaluar atë periudhë, jemi në liri, por ka popuj që ende përballen me luftë, shtypje, apo jetojnë në vende ku ka diktate apo pushtete të paarsyeshme dhe ka njerëz që mund të komunikojnë përmes emrave të fëmijëve dhe përçojnë një mesazh apo ide të veten. Këtu pastaj përzihet qenia, këtu pastaj është gjithçka te brendia e atij që e vë emrin dhe atij që e bart emrin”, është shprehur Balaj.

Realizimi i kësaj shfaqjeje emocionale ka qenë sfiduese edhe për aktoren Edona Sopaj.

“Për herë të parë jam angazhuar në një shfaqje laborator. Dhe ka qenë përvojë e veçantë për mua. Prej vetes kam nxjerrë shumë gjëra të mira që ndoshta mund ti përdori edhe në shfaqjet tjera. Ka qenë e lodhshme, me plot emocione, sepse kemi bërë etyda të ndryshme për të arritur në këtë pikë. Në përgjithësi ka qenë tepër sfiduese, por jam e kënaqur me punën”, ka thënë ajo pas premierës.

Për të edhe realizimi i shfaqjes në formë kamertale ka qenë një praktikë e re.

“Publiku ma ka dhënë një energji tepër të mirë dhe kemi pas komunikim gjatë lojës me audiencën dhe e tëra ka rrjedhur shumë mirë”, është shprehur Sopaj për Telegrafin.

Realizimi i projektit laborator “Krejona” në Teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” ka filluar në muajin tetor të vitit të shkuar. Premiera shfaqet edhe të enjten mbrëma, me 23 janar 2025, nga ora 19:00. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Eskalon deri në prekje fizike debati mes Gjestit dhe Loredanës për cigaret në BBVA

Eskalon deri në prekje fizike debati mes Gjestit dhe Loredanës për cigaret në BBVA

Magazina
Gripi po e kalon pragun epidemik, IKSHPK apel qytetarëve që të vaksinohen

Gripi po e kalon pragun epidemik, IKSHPK apel qytetarëve që të vaksinohen

Shëndetësi
“Xhaka mund t'i bashkohet Real Madridit”, ish-sulmuesi zviceran thotë se Graniti mund ta pasojë Modricin

“Xhaka mund t'i bashkohet Real Madridit”, ish-sulmuesi zviceran thotë se Graniti mund ta pasojë Modricin

La Liga
Keqtrajtohen pesë kroatë në Serbi, Zagrebi i dërgon notë proteste Beogradit

Keqtrajtohen pesë kroatë në Serbi, Zagrebi i dërgon notë proteste Beogradit

Kroacia
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Pse duhet të mbani sapun pranë shtratit sa herë që flini?

Pse duhet të mbani sapun pranë shtratit sa herë që flini?

A e dini se...
Kalo në kategori