Krasniqi uron në Ditën e Çlirimit nga Prekazi: Lavdi dëshmorëve e nderim çlirimtarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka bërë homazhe në Prekaz.
Krasniqi është shprehur se UÇK-ja ishte mishërimi i aspiratës shekullore të popullit tonë për liri dhe dinjitet.
“Edhe sot, më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ne rikthehemi në Prekaz, sepse këtu, para së gjithash, i ka rrënjët liria. Nga këtu nisi zjarri i shpresës që ndriçoi rrugën tonë drejt çlirimit dhe pavarësisë. Në këtë datë të shenjtë të historisë sonë, kujtojmë me nderim të thellë sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të çdo dëshmori që dha jetën për lirinë e këtij vendi”, ka thënë lideri i PDK-së.
Krasniqi ka uruar edhe çlirimtarët, të cilët po mbahen padrejtësisht nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Këtë përvjetor, me shpresën e thellë se do të jetë i fundit që e shënojmë pa ta, e urojmë me zemër për çlirimtarët tanë që padrejtësisht po mbahen në Hagë: Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Deputetin Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre. Lufta e tyre ishte e drejtë dhe e pastër, sepse ishte lufta dhe përpjekja e një populli të tërë, që për shumë breza sakrifikoi për liri. Gëzuar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Nderim çlirimtarëve!”, ka shkuar ai në Facebook.
Po ashtu, Krasniqi është shprehur mirënjohës ndaj aleatëve ndërkombëtarë, të cilët e ndihmuan Kosovën në arritjen e lirisë.
“Sot dhe asnjëherë tjetër, ne nuk harrojmë as miqtë tanë ndërkombëtarë – në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të cilët qëndruan përkrah nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë. Përjetësisht mirënjohës për mbështetjen!”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/







































