LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Tokat e paprivatizuara bujqësore do t’i kthehen shtetit

Krasniqi: Tokat e paprivatizuara bujqësore do t’i kthehen shtetit

Rreth 28 mijë hektarë tokë bujqësore janë privatizuar, viteve të fundit, duke gjeneruar rreth 100 milionë euro në llogarinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Por, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ngre shqetësimin se një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është në funksion të bujqësisë.

Prandaj, Krasniqi i ka propozuar Qeverisë që të gjitha tokat bujqësore ende të paprivatizuara, me ndryshimin e legjislacionit në fuqi, t’i kthehen qeverisë e cila do t’i menaxhonte.


“Është e dhimbshme që kjo tokë, e cila pa dyshim është njëra ndër tokat më të mira, më të pëlleshme të vendit tonë, nuk është në funksion bujqësor”, shprehet Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

“Propozimi im ka qenë që të gjitha ato toka bujqësore të mbetura ende pa u paprivatizuar, me ndryshimin e legjislacionit në fuqi, t’i kthehen qeverisë e cila do t’i menaxhonte. Pavarësisht se a do të kthehen në menaxhimin e ministrisë, në nivel qeverisë, apo do të krijohet një instancë tjetër, e rëndësishme do të ishte që ajo të kthehej në funksion të bujqësisë, që pa dyshim do të ndikonte në tregun, ekonominë dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës”.

Krasniqi pret që shumë shpejt, Ligji për Investime Strategjike të miratohet në Kuvend, duke i mundësuar qeverisë që të hyjë në negocime të drejtpërdrejta me investitorë serioz. “Në rastet më të shpeshta, në takimet që neve na vijnë investitorët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, kërkesa themelore e tyre është sipërfaqja e tokës; dhe ne si qeveri nuk kemi tokë në pronësi. Sikur të ndryshohet kjo situatë, ne do të ishim në një situatë shumë më të favorshme. Nëse do të kishim mundësi të lidhemi me investime të huaja direkte, që do të ishin investime të drejtpërdrejta në bujqësi, dhe do gjeneronin vende të reja të punës dhe që do të arrinin këto objektiva që ndërlidhen me rritje të prodhimtarisë, zëvendësim të importit dhe rritje të eksportit”, thotë ministri Krasniqi.

Në këtë intervistë, kreu i MBPZHR-së thotë se vitet e fundit, bujqësia ka qenë në fokus të qeverisë, e cila ka dyfishuar buxhetin për këtë sektor. “Por, ne nuk jemi ende në atë nivelin ku ne dëshirojmë që të arrijmë, e që do të ishte së paku 5% e buxhetit total nacional, të ndarë për bujqësinë”.

Sipas tij, Kosova qëndron më mirë se disa nga vendet e rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi e Bosnja, për nivelin e investimeve që bëhen në bujqësi.

Krasniqi, i cilinë fillim të mandatit kishte paralajmëruar krijimin një fondi për garantimin e kredive bujqësore, thotë se një “zëvendësim” për këtë do të jetë Fondi i Kredive, për çka tashmë është miratuar ligji. Por, subvencionimi i kamatave duhet të bëhet në harmonizim me kompanitë e sigurimeve. /EkonomiaOnline/Telegrafi/