Krasniqi: Dhembjet e veçanta të kokës mund të jenë sinjal për gjakderdhje në tru

Kirurgu vaskular, Halil Krasniqi gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital ka folur për simptomat që shpeshherë neglizhohen, por që mund të jenë tregues të problemeve serioze shëndetësore, përfshirë gjakderdhjen në tru apo ngushtimin e arterieve të qafës, të cilat nëse nuk trajtohen me kohë, mund të çojnë në pasoja të rënda neurologjike, madje edhe fatale.
“Dhembjet që janë të veçanta, jo të krahasueshme me migrenën mund të jenë shenjë e një gjakderdhjeje në tru. Këto ndodhin në të gjitha moshat dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm”, Krasniqi.
Sipas tij, në rastet kur një person përjeton kokëdhembje të shpeshta apo të pazakonta, është e domosdoshme që brenda një kohe shumë të shkurtër të realizohet një CT e kokës, për të përjashtuar mundësinë e një gjakderdhjeje, e cila mund të çojë në sulm trunor ose në raste ekstreme, vdekje.
Një tjetër problem serioz i theksuar nga Krasniqi është ngushtimi i arterieve të qafës, i cili sjell pasoja neurologjike dhe optike.
“Ngushtimi i arterieve të qafës shkakton çrregullime neurologjike dhe optike. Pacientët shpeshherë ankohen se herë pas here ‘shohin zi para syve’ ose ‘shohin dy fotografi’.
Kjo është një shenjë e qartë e ngushtimit të këtyre arterieve”, shtoi ai.
Për më shumë ndiqni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

















































