KQZ përmbyllë procesin e akreditimit të vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 104-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi, në të cilën u morë vendim për akreditimin e grupit të pestë me 169 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se organizata jo-qeveritare të akredituara janë: Qendra Kultutore Orfeu – 45 vëzhgues;
“Media vendore: Kontakt Kosovka Mitrovica/ Kontakt Plus – 3 vëzhgues; Alternativna – 3 vëzhgues; Televizija Gracanica – 10 vëzhgues; Klan Kosova – 95 vëzhgues. Media ndërkombëtare: Prva srpska televizija – 2 vëzhgues; Novinska agencija Tanjug – 3 vëzhgues; Radio-televizija Srbije – 6 vëzhgues; dhe ABC NEËS ALBANIA – 2 vëzhgues”.
Ndryshe, në mbledhjet e kaluara, KQZ ka akredituar edhe 19,085 vëzhgues të tjerë, të cilët përfaqësojnë: subjekte politike të certifikuara, organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.
Numri i përgjithshëm i akredituar deri më tani nga KQZ është 19,254:
Subjekte politike – 17,614 vëzhgues;
Institucione shtetërore – 66 vëzhgues;
OJQ vendore – 809 vëzhgues;
Organizata ndërkombëtare – 121 vëzhgues;
Përfaqësi diplomatike – 13 vëzhgues;
Media vendore – 554 vëzhgues; dhe
Media ndërkombëtare – 77 vëzhgues.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mosakreditimin e dy organizatave vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Bëhet fjalë për OJQ “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit” dhe organizatën ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju-OKO”.
Lidhur me OJQ “Instituti...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se statuti i kësaj organizate nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu siç kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ndërkaq, për organizatën ndërkombëtare “Odbor...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se gjatë vlerësimit të dokumentacionit, dokumenti i ofruar edhe pse ka vulën dhe nënshkrimin, nuk dëshmon se nga cili institucion është lëshuar, me çka e bënë të dyshimtë vërtetësinë e këtij dokumenti, i cili poashtu, nuk është dokument i plotë në mungesë të faqeve. /Telegrafi/


















































