KQZ miraton qendrat e votimit jashtë Kosovës, përfshihen edhe lokacionet alternative – Debat i ashpër mes anëtarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Vendimi u shoqërua me debate të forta mes anëtarëve, veçanërisht lidhur me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për hapjen e qendrave alternative votimi.
Sipas vendimit, votimi në diasporë do të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme. Lista mund të rishikohet në varësi të numrit të votuesve që do të regjistrohen.
Përveç tyre, KQZ miratoi edhe 10 qendra alternative votimi jashtë objekteve diplomatike, të propozuara nga MPJD:
Gjermani – 5 qendra,
Zvicër – 3 qendra,
Mbretëri e Bashkuar – 1 qendër,
ShBA – 1 qendër,
me 43 vendvotime dhe kapacitet maksimal prej 40,850 votuesish.
Votimi jashtë Kosovës do të zhvillohet më 27 dhjetor.
Polemika brenda KQZ-së
Kërkesa e MPJD-së për hapjen e qendrave alternative ndezi debat të ashpër në mbledhje. Vendimi kaloi me gjashtë vota, ku përcaktuese ishte vota e anëtares nga komuniteti turk.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani, kundërshtoi hapjen e qendrave shtesë, duke thënë se rekomandimi i Këshillit për Operacione Zgjedhore ka qenë i qartë: votimi të zhvillohet vetëm në përfaqësi diplomatike.
Ai e cilësoi kërkesën e MPJD-së si të pajustifikuar.
“Ka qenë një kërkesë tjetër prej MPJD-së për hapësira shtesë si qendra alternative, por kjo nuk ka kaluar në Këshill.”
Në anën tjetër, anëtari i LVV-së, Alban Krasniqi, mbrojti qendrat alternative duke akuzuar se ka pasur përpjekje për të kufizuar mundësinë e votimit të diasporës:
“U pa qartë se nuk ka të bëjë me integritetin, por me pamundësimin e mërgatës të votojë.”
Debatë pati edhe mes anëtarit të PDK-së, Ilir Gashi, dhe atij të LVV-së, Sami Kurteshi. Gashi akuzoi MPJD-në për ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe paralajmëroi shkelje ligjore nëse hapen qendra jashtë objekteve diplomatike.
Kurteshi reagoi.
“Është një tendencë e hapur për të penguar mërgatën të votojë.”
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kërkoi që vendimi të përfshijë edhe qendrat alternative, duke paralajmëruar vështirësi logjistike.
“Sipas zyrtarëve të sekretariatit, do të jetë e pamundur që materialet zgjedhore të dërgohen në të gjitha ambasadat. Procesi është në rrezik.”
Në mbledhje u prezantua edhe Lista Preliminare e Votuesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
2,076,422 votues gjithsej,
1,067,499 burra,
1,008,923 gra.
Lista ka 7,324 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të tetorit 2025.
Në fund, KQZ miratoi edhe sloganin zyrtar të fushatës informuese për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit:
“Kosova voton!”



















































