Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ndodhet në fazën përfundimtare të aktiviteteve që do të çojnë në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se pas përfundimit të punës në qendrat komunale të numërimit, procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës pritet të përmbyllet gjatë ditës së hënë, duke i hapur rrugë numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.


“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të aktiviteteve të cilat duhet të zhvillohen pas ditës së votimit për të ardhur te shpallja e rezultateve përfundimtare,” deklaroi Elezi.

Ai kujtoi se gjatë javës së kaluar, në 38 Qendra të Numërimit Komunal (QNK), brenda gjashtë ditësh janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvendet komunale, ndërsa është përfunduar edhe numërimi i votave për kandidatët.

Sipas Elezit, numërimi i votave nga jashtë vendit, që ka nisur të premten pasdite, do të përmbyllet sot, ndërsa më pas do të vijojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Në votimin me kusht janë më shumë se 2,100 zarfe me fletëvotime që u takojnë dy lloje zgjedhjesh, ndërkaq numri i votuesve me nevoja të veçanta është mbi 3,400,” shtoi ai.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të parashtrojnë ankesat e tyre lidhur me rezultatet. Procesi më pas mund të zgjasë disa ditë, derisa të bëhet certifikimi përfundimtar i zgjedhjeve.