KQZ arbitrarisht refuzon akreditimin e IKD-së për monitorimin e zgjedhjeve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot ka pranuar një përgjigje nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, në të cilën njoftohet se i refuzohet aplikimi për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.
IKD përmes një komunikate për medie njofton se sipas ligjit të procedurës administrative dhe standardeve që KQZ do të duhej zbatonte gjatë ushtrimit të fushëveprimtarisë së saj çdo vendim administrative që e miraton duhet të jetë i arsyetuar dhe transparent, si dhe duhet të garantojë të drejtën për të përdorur mjete juridike për kundërshtim.
“Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim. Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, IKD njofton se vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Është fakt notor se IKD ka mandat të qartë në punën e saj që lidhet me promovimin e sundimin të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies si elemente thelbësore të proceseve zgjedhore. Sundimi i ligjit, integriteti institucional, monitorimi i institucioneve publike, edukimi, ndihma juridike falas janë komponentë që lidhen drejtpërdrejt me fushëveprimtarinë e punë së IKD”, citohet në komuninkatë.
IKD vlerëson se vendimi i Zyrës së KQZ-së jo vetëm që keqintepreton Ligjin per Zgjedhjet por edhe shkel standardet ndërkombëtare. Praktikat ndërkombëtare të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës dhe standardet e demokracive perëndimore e njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në vëzhgimin e zgjedhjeve bazuar në misionin e tyre për transparencë, llogaridhënie dhe interes publik, jo vetëm nëse kanë të shkruar fjalën “zgjedhje” apo “drejtat e njeriut” në statut.
“Kërkesa e tillë formale dhe kufizuese është e paprecedentë në Kosovë dhe bie ndesh me qasjen praktike të KQZ-së ndër vite. Ky veprim krijon dyshime serioze për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Cenimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile në procesin zgjedhor është sulm ndaj demokracisë, transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve”, thuihet në komunikatë.
IKD konsideron se refuzimi i aplikimit Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nuk e ka të drejtën e refuzimit të një aplikimi të një OJQ-je, derisa bën të ditur se do t’i shfrytëzojë të gjitha “mekanizmat administrativë dhe ligjorë për të kundërshtuar një vendimmarrje të tillë, në mënyrë që të garantojë të drejtën e saj por edhe çdo organizate jo-qeveritare për të kontribuar në procesin zgjedhor dhe për të mbrojtur standardet demokratike në vend”.











































