Kosova Makers League dhe BONEVET Prishtina shënojnë Ditën e Vajzave në TIK - Girls in ICT 2025
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Kosova Makers League në bashkëpunim me BONEVET Prishtina dhe Karta Rinore Evropiane-Kosova organizuan eventin “Girls in ICT”, një ngjarje e veçantë që synon të frymëzojë dhe fuqizojë vajzat drejt një të ardhmeje në botën e teknologjisë.
Eventi, i cili u zhvillua më 24 prill në hapësirat inovative të BONEVET Prishtina, mblodhi rreth 15 vajza studente nga Universiteti i Prishtinës në një ambient frymëzues dhe bashkëpunues, ku pjesëmarrëset patën mundësinë të mësojnë, eksperimentojnë dhe ndërveprojnë me figura frymëzuese të TIK-ut në Kosovë.
Gjatë eventit, pjesëmarrëset u mirëpritën me një hapje të ngrohtë, ku u prezantua rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK dhe nevoja për përfshirjen e barabartë të vajzave në këtë fushë që po formëson të ardhmen. Menjëherë pas hapjes, eventi vazhdoi me një ligjëratë frymëzuese nga Vesa Morina, bashkë-themeluese dhe CEO e ZETA Corporation, e njohur për pasionin e saj të thellë për teknologjinë dhe inovacionin.
Si një nga zërat më inspirues në komunitetin e TIK në Kosovë, ajo ndau me pjesëmarrëset rrugëtimin e saj profesional, sfidat me të cilat është përballur gjatë ndërtimit të një kompanie teknologjike, si dhe sukseset që e kanë shoqëruar në këtë udhëtim.
Përmes një sesioni online, Vesa theksoi rëndësinë e ndjekjes së pasionit në fushën e teknologjisë dhe u dha vajzave motivimin për të besuar në potencialin e tyre dhe për të marrë rol aktiv në industrinë teknologjike që po zhvillohet me hapa të shpejtë në vend.
Pas sesionit, vajzat u përfshinë në dy punëtori praktike që kishin për qëllim zhvillimin e aftësive teknologjike përmes eksperimentimit dhe kreativitetit.
Në punëtorinë e parë, pjesëmarrëset punuan me robotët edukativë Micro:Maqueen Plus, ku patën mundësinë të programojnë robotët e tyre, duke fituar njohuri konkrete në fushën e robotikës. Pas punëtorisë së parë, ato po ashtu u njoftuan dhe rreth Kartës Rinore Evropiane dhe mundësitë që kjo kartë sjell për të rinjtë. Ndërkohë, në punëtorinë e dytë, fokusi u zhvendos në krijimin e përmbajtjes digjitale dhe përdorimin e teknologjive të reja për komunikim dhe zgjidhje inovative.
Kjo punëtori përfshinte gjithashtu një pjesë të dedikuar ku përmes bashkimit të blloqeve të ndryshme, vajzat u njohën me konceptin e krijimit të qarqeve elektrike dhe funksionimin bazik të tyre.
Në fund të ditës, u zhvillua një sesion i veçantë rrjetëzimi dhe diskutimi me modele frymëzuese nga komuniteti i TIK-ut, ku pjesëmarrëset patën rastin të bashkëbisedojnë në mënyrë të hapur me profesionistet, të ndajnë ide dhe të kërkojnë këshilla konkrete për hapat e tyre të ardhshëm në karrierë.































