Kosova ndodhet në një moment vendimtar, që përcakton avancimin e saj ekonomik dhe politik.

Është më urgjent se kurrë përparimi në konsolidimin institucional, në rritje të kredibilitetit ndërkombëtar dhe në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në institucione të rëndësishme evropiane e ndërkombëtare, si dhe në agjendën integruese në BE dhe në NATO.


Megjithatë, skena politike vendore po shfaq shenja të thella bllokade, me vonesa të pajustifikueshme në funksionimin e institucioneve më të larta të vendit. Kjo situatë nuk paraqet vetëm një krizë të brendshme – ajo ka pasoja të drejtpërdrejta në politikën e jashtme të vendit.

Së pari, Kosova rrezikon të humbasë besimin ndërkombëtar. Partnerët strategjikë, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, presin nga Prishtina një pjekuri institucionale.

Bllokimi i zgjedhjes së krerëve të institucioneve, mungesa e një Kuvendi dhe një Qeverie funksionale, dërgojnë sinjale negative se Kosova nuk është e aftë të menaxhojë vetveten – për shkak të inateve personale.

Vonesat dhe krizat e brendshme rrezikojnë zbatimin e reformave dhe e vështirësojnë qasjen në fondet zhvillimore të BE-së, përfshirë mjetet financiare të parapara për Kosovën nga Plani Evropian i Rritjes, të cilat aktualisht mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve të reja që duhet të formohen pas realitetit që përcaktuan zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Gjithashtu, Kosova po humb momentumin diplomatik. Me institucione të bllokuara, mungon koordinimi i brendshëm për politikat e jashtme, gjë që e bën të vështirë lobimin për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës.

Për më tepër, këtë krizë të brendshme, kundërshtarët e shtetësisë së Kosovës mund ta përdorin si argument për të penguar lobimin dhe për të forcuar narrativën sabotuese.

Kosova nuk e ka luksin e stagnimit institucional. Përkundrazi, asaj i nevojitet qartësia politike, një konsensus minimal kombëtar dhe një fokus i qartë në sfidat e jashtme.

Demokracia nuk matet vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por me aftësinë për të ndërvepruar, bashkëpunuar dhe funksionuar përtej dallimeve partiake – dhe, kjo i takon në radhë të parë partisë që doli e para në zgjedhjet e fundit, Lëvizjes Vetëvendosje.