Si Kosova ashtu edhe Shqipëria me pak fat mund të kualifikohen në Kupën e Botës 2026, kështu ka deklaruar për Telegrafin ish kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata.

Kosova dhe Shqipëria për herë të parë në histori luajnë në play-offin e Botërorit 2026, me “Dardanët” që takohen me Sllovakinë derisa “Kuq e Zinjtë” me Poloninë.


Vata për Telegrafin tha se gjasat më të mëdha i ka Kosova ndërsa ka shpresë që të dy kombëtareve t’iu prijë fati dhe të shkojnë në Botëror.

“Si Shqipëria ashtu edhe Kosova ndodhën në një situatë që asnjëherë nuk kanë qenë. Janë edhe dy ndeshje në play-off për të prerë biletën për në Botëror. Si Sllovakia ashtu edhe Polonia janë kundërshtarë të shkollës lindore, pak a shumë në stil të lojës të fokusuar të agresiviteti dhe loja fizike”.

“Polonia është më e avancuar sepse një komb që normalisht është në gjendje të bëjë gjëra të mëdha, komb me eksperiencë dhe kanë marrë pjesë në kompeticione të tilla dhe historikisht kanë pasur përvojë të jashtëzakonshme edhe në gjysmëfinalen e Botërorit”.

“Shanset më të mëdha i ka Kosova, është më e avancuar dhe me prioritet. Kosova në fazën ofensive është më efikase, ka shumë lojtarë që janë të orientuar mirë në portën kundërshtare dhe shënojnë gol thuajse në çdo ndeshje. Të dyja ndeshjet do të jenë të hapura dhe në një ditë të mirë për Kosovën dhe Shqipërinë mund të ndodhi mrekullia”.

Vata kërkoi nga Shqipëria që të jenë një grup i bashkuar, ndërsa këshilloi Sylvinhon që t’i analizojë polakët në secilin detaj të mundshëm.

“Sylvinho e ka një eksperiencë me polakët, ka bërë dy ndeshje ku ka marrë një fitore dhe një humbje. Sigurisht që Sylvinho duhet ta ketë një ide të qartë si ta ndërtojë strategjinë e kësaj ndeshje, çdo detaj duhet analizuar në mënyrë perfekte. Grupi është me rëndësi të jetë i bashkuar, bashkimi bën fuqinë. Si kurrë më parë të jemi të bashkuar, sepse Shqipëria dhe shqiptarët presin të jenë pjesë e Botërorit, i cili është aq pranë”.

Kapiteni legjendar gjithashtu lavdëroi punën që ka bërë Franco Foda te Kosova, ndërsa është i sigurt se “Dardanët” do të jenë kundërshtarë i fortë për secilin ekip të botës brenda pak viteve.

“Franco Foda ka bërë punë të jashtëzakonshme te Kosova. Ka implementuar një mentalitet që të lënë përshtypje sepse vetë grupi dhe futbollistët tregon që disiplina ka qenë çelësi. Të gjithë djemtë i ka pasur titullarë të padiskutueshëm, pranojnë të jenë rezervë dhe e grupit sepse e kanë kuptuar që në çdo moment mund t’i jepet mundësia për të kontribuar. Kosova është komb i talentuar historikisht evropianë dhe botëror, besoj në të ardhmen do të jetë kundërshtar i rrezikshëm për secilin nivel botëror”.

“Kosova po rritet shpejtë sepse janë më të vërtetë grup fantastik lojtarësh, që dinë të shënojnë dhe të luajnë mirë. Tregojnë që janë skuadër kompakte”.

Vata shkurtimisht komentoi edhe situatën e djalit të tij Rokos, i cili aktualisht përfaqëson Irlandën. Ai la të hapur mundësinë që ta shohim yllin e Watfordit në fanellën e Kosovës ose Shqipërisë, megjithatë nënvizoi se projekti duhet të jetë serioz për ta bindur lojtarin.

“Roko e ka bërë një progres shumë të mirë, por ka shumë gjëra që të mëson. Ka qenë mes shumë dilemave për ekipin kombëtar të cilin dëshiron ta përfaqëson. Ka luajtur një ndeshje me Irlandën, e cila normalisht ka treguar seriozitet dhe respekt. E kanë treguar në të gjitha mënyrat e mundshme në aspektin profesional. Nuk e di se çfarë mendon Roko nëse ndonjë Federatë e kontakton, gjithçka është e hapur”, përfundoi Vata për Telegrafin.

Kujtojmë, të dy përballjet gjysmëfinale të play-offit do të zhvillohen më 26 mars 2026. Në rast që kualifikohen në finale, Kosova në Prishtinë do ta priste fituesin e takimit Turqi – Rumani, ndërsa Shqipëria prapë do të luajë si mysafir, ndaj Ukrainë – Suedi./Telegrafi/

telegrafi sport app