Autore: Rona Ramadani

Ka gjëra që njeriu i mëson me kalimin e kohës. Disa përmes shkollës, disa përmes përvojës, e disa të tjera përmes dhimbjes që sjell padrejtësia. Dhe ndonëse mund të duket e çuditshme që një fëmijë të kuptojë çfarë është korrupsioni, unë e njoha atë shumë herët, para se të dija si ta shkruaja këtë fjalë apo si ta përkufizoja.


Isha vetëm një vajzë e vogël, me ëndrra të thjeshta: të recitoja një poezi para një publiku, të merrja duartrokitje dhe ndoshta edhe një shpërblim të vogël për përkushtimin tim. Poezia ime ishte e gëzueshme, si vetë fëmijëria. Kisha ushtruar me pasion dhe dhënë më të mirën.

Por, atë ditë mësova një të vërtetë të hidhur. Ndonjëherë, përpjekja nuk mjafton.

Një nga konkurrentet, që e njihja mirë, kishte lidhje familjare me një nga anëtarët e jurisë. Asokohe nuk e kuptoja çfarë do të thoshte kjo, por ndjeja një padrejtësi që më shtrëngonte në zemër. Kur u ndanë çmimet, ajo mori vendin e parë. Unë, megjithëse e përgëzuar nga shumë të pranishëm për interpretimin tim, mbeta pa asnjë vlerësim. Nuk prisja medoemos të fitoja, por prisja drejtësi. Më vonë kuptova se ajo që përjetova e kishte emrin korrupsion.

Dhe që nga ai moment, për mua, korrupsioni filloi të marrë emër. Ishte më shumë se një fjalë; ishte një ndjesi konkrete, një padrejtësi që kishte fytyrë, zë dhe emër fituesi. Dhe mësova se ai nuk ndodh vetëm në zgjedhje apo në politikë; ndodh edhe aty ku mësojmë rregullat e para të jetës, aty ku ndershmëria duhej të ishte bazë.

Korrupsioni lind edhe në garat e fëmijëve, ku fituesi nuk zgjidhet nga përpjekja, por nga njohjet. Fatkeqësisht, kjo dukuri nuk është më përjashtim. Është bërë normale në shumë vende, përfshirë edhe tonën. E më e keqja është se ne të rinjtë po mësohemi ta pranojmë. Rritemi me shprehjen “Kështu funksionon kjo botë.”

Por unë refuzoj ta pranoj këtë si përgjigje.

Ne të rinjtë jemi përballë shumë sfidave, por ndoshta më e madhja është të mos bëhemi pjesë e një sistemi të padrejtë. Është koha ta thyejmë këtë zinxhir. Të guxojmë të flasim, të ngremë zërin, të refuzojmë që nesër, kur të jemi mësues, drejtues, vlerësues, të bëhemi pjesë e së njëjtës padrejtësi që e kemi ndjerë sot.

Sot jam një vajzë e re, ende në kërkim të përvojës. Por me një kujtim të fortë që më udhëheq. Drejtësia nuk duhet të jetë përzgjedhje. Ajo duhet të jetë standard.

Ndonëse atë ditë nuk mora një kupë apo medalje, mora diçka më të rëndësishme. Një mësim që nuk harrohet kurrë — se të luftosh për të drejtën është më e vlefshme se çdo vlerësim i padrejtë.

* “Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës së eseve kundër korrupsionit, që KDI ka realizuar mes të rinjve, përfshirë pjesëmarrësit në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së dhe të Telegrafit. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.“