Qentë endacakë, veçanërisht në Shkup, paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve dhe deri më tani nuk ka pasur përpjekje serioze apo rezultate konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Përveç rrezikut për qytetarët, pasojat e sulmeve nga qentë endacakë përfaqësojnë edhe një barrë të madhe financiare për komunat dhe për Qytetin e Shkupit.

Një shembull i qartë i kësaj situate vjen nga Komuna e Velesit.


Sipas të dhënave nga pushteti lokal, Komuna e Velesit gjatë 11 muajve të parë të këtij viti ka paguar një shumë rekord prej 11,8 milionë denarësh si dëmshpërblim për qytetarët e kafshuar nga qentë endacakë.

Numri i rasteve të raportuara është rritur ndjeshëm, ndërsa mes të dëmtuarve ka edhe familje të tëra të sulmuara, si dhe persona që janë kafshuar disa herë.

Në një nga rastet e evidentuara, i njëjti person është sulmuar katër herë nga qentë endacakë, pas çka ka marrë dëmshpërblimin përkatës. Autoritetet komunale theksojnë se pjesa më e madhe e mjeteve janë paguar mbi bazën e vendimeve gjyqësore, gjë që rëndon seriozisht buxhetin e komunës.

Megjithatë, problemi me qentë pa strehë mbetet ende i pazgjidhur dhe vazhdon të shkaktojë shqetësim te qytetarët.

Nga Komuna e Velësit bëjnë të ditur se në periudhën e ardhshme do të kërkohen zgjidhje afatgjata për uljen e numrit të qenve endacakë, si dhe masa për rritjen e sigurisë në hapësirat publike, me qëllim parandalimin e sulmeve të reja dhe shmangien e shpenzimeve shtesë financiare.