LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 6° partlycloudy_night

Komuna e Prizrenit merr masa për pastrimin e deponisë ilegale mes dy lagjeve

Komuna e Prizrenit merr masa për pastrimin e deponisë ilegale mes dy lagjeve

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të hënën ka ndërmarrë veprime për largimin e mbeturinave nga një deponi ilegale, në hapësirat mes lagjeve “Tusus” dhe “Bajram Curri”.

Sipas njoftimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka angazhuar operatorët me mjete të rënda për kthimin e pastërtisë në këtë zonë.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka ndërmarrë një aksion të menjëhershëm për largimin e mbeturinave të shumta të hedhura në mënyrë të pakontrolluar mes lagjeve Tusus dhe Bajram Curri. Ekipet e angazhuara, përmes makinerive të rënda dhe mjeteve të specializuara, po punojnë intensivisht për ta rikthyer pastërtinë dhe për ta eliminuar ndotjen e shkaktuar nga kjo deponi ilegale”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.


Në të njëjtën kohë është apeluar mos hedhjen e mbeturinave në vende joadekuate.

“Ky problem i mbetjeve të hedhura pa kriter është një shqetësim serioz për qytetarët dhe ambientin tonë. Prandaj, apelojmë te të gjithë banorët që ta ndalojnë hedhjen e mbeturinave në vende të palejuara dhe ta respektojnë mjedisin që na rrethon!”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Sipas organeve komunale veprimet e tilla rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

“Çdo ndotje e tillë jo vetëm që dëmton pamjen e qytetit tonë, por edhe rrezikon shëndetin publik dhe biodiversitetin natyror. Së bashku mund ta mbajmë Prizrenin të pastër!”, përfundon njoftimi i Komunës. /Telegrafi/