Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Kryeqytetit për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë dhe përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, të martën, më 1 prill 2025, në ora 10:00, do të bëhet adoptimi i qenit të 1000-të në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacak të Kryeqytetit.

"Ky sukses është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve lokale, organizatave për mbrojtjen e kafshëve dhe qytetarëve të përkushtuar që kanë treguar kujdes dhe dashuri për këto kafshë".


Programi i adoptimit, i cili ka nisur si një iniciativë për të gjetur shtëpi të ngrohta për qentë endacakë, ka pasur një ndikim të madh në zvogëlimin e numrit të qenve në rrugët e qytetit, duke ofruar një alternativë të sigurt dhe humane për trajtimin e tyre.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, dhe ekipin e tij, do të vizitojnë Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacak.

Gjatë vizitës, ata do të njihen me përpjekjet dhe përkushtimin e stafit të qendrës, procesin e kujdesit ndaj kafshëve si dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të këtij shërbimi.

Gjithashtu, Kryeqyteti do të vazhdojë me fushatat e ndërgjegjësimit dhe projektet e reja që synojnë përmirësimin e kushteve për qentë endacakë, duke përfshirë sterilizimin, vaksinimin dhe kujdesin e vazhdueshëm veterinar.

"Adoptimi i qenit të 1000-të nuk është vetëm një statistikë, por një tregues i qartë i progresit në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të përgjegjshëm për kafshët në Kryeqytet. Ky hap i rëndësishëm tregon se me përkushtim dhe bashkëpunim, mund të krijohen ndryshime pozitive dhe të arrihet një trajtim më i dinjitetshëm për të gjitha kafshët endacake".