Komuna e Podujevës hap thirrje për shfrytëzimin e shtëpizave të drurit gjatë “Ditëve të Fundvitit 2025”

Komuna e Podujevës ka shpallur thirrje publike për aplikim, duke ftuar bizneset dhe organizatat joqeveritare lokale që të aplikojnë për shfrytëzimin e pesë shtëpizave të drurit në kuadër të aktivitetit tradicional “Ditët e Fundvitit 2025”.
Sipas njoftimit, aktiviteti do të mbahet nga 22 dhjetor 2025 deri më 16 janar 2026, në sheshet “Ali Ajeti” dhe “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Nga gjithsej pesë shtëpizat, dy janë të dedikuara për veprimtari gastronomike, ndërsa tri të tjera për biznese dhe OJQ që merren me prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore, artizanate dhe produkte të ngjashme.
Të drejtë aplikimi kanë vetëm bizneset dhe organizatat joqeveritare lokale të regjistruara, të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara nga komuna.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është nga 16 deri më 18 dhjetor 2025, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 16:00. Aplikimet, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, duhet të dorëzohen fizikisht në zyrën pritëse të Komunës së Podujevës.
Nga Komuna e Podujevës bëhet thirrje që subjektet e interesuara të aplikojnë me kohë, duke theksuar se kjo iniciativë synon të promovojë prodhuesit lokalë, gastronominë vendore dhe krijimin e një atmosfere festive për qytetarët gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/









































