Komuna e Mitrovicës vazhdon lirimin e hapësirave publike të uzurpuara

Komuna e Mitrovicës ka intensifikuar aksionet për lirimin e hapësirave publike të shfrytëzuara në mënyrë të kundërligjshme, në kuadër të angazhimit për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit urban.
Sipas njoftimit të Komunës, Drejtoria e Inspekcionit aktualisht është duke realizuar rrënimin e një objekti të ndërtuar pa leje, i cili ndodhet në afërsi të shtëpisë së Islam Shipolit.
Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka theksuar se drejtoria që ai udhëheq mbetet e përkushtuar dhe e vendosur në zbatimin e ligjit, pa toleruar asnjë shkelje që cenon hapësirat publike.
Ai ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të krijimit të rendit, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.



















































