Komuna e Dragashit sqaron projektin për deponinë e mbetjeve inerte, LVV kërkon rishqyrtim të lokacionit


Komuna e Dragashit ka reaguar pas kundërshtimeve të banorëve të fshatit Rrenc lidhur me ndërtimin e një deponie, duke sqaruar se projekti ka të bëjë ekskluzivisht me një deponi për mbetje inerte dhe jo për mbeturina komunale apo materiale që paraqesin rrezik për shëndetin dhe mjedisin.
Sipas Komunës, deponia do të shërbejë vetëm për grumbullimin e dheut, gurëve, betonit, tullave dhe mbetjeve të tjera nga ndërtimet, ndërsa do të ndërtohet sipas standardeve përkatëse dhe me infrastrukturën e nevojshme për funksionim të kontrolluar. Komuna thekson se projekti është në përputhje me planifikimin komunal dhe synon të parandalojë hedhjen e mbetjeve në vende të palejuara.
Nga ana tjetër, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Sharr ka dalë në mbështetje të banorëve të Rrencit, duke i cilësuar shqetësimet e tyre si legjitime. VV ka kërkuar nga kryetari i Komunës që të vazhdojë dialogun me banorët, të rishqyrtojë lokacionin e planifikuar – i cili, sipas saj, ndodhet rreth 300 metra nga vendbanimi – si dhe të shqyrtojë mundësinë e ridestinimit të mjeteve të planifikuara për projektin.
Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të informohen nga burimet zyrtare, duke vlerësuar se një pjesë e informacioneve të publikuara për projektin kanë krijuar keqkuptime.


































