ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Banorët e fshatit Brrut, së bashku me qytetarë të tjerë të zonës së Opojës, kanë reaguar ndaj gjendjes së deponisë në lokalitetin Trokon, duke kërkuar nga Komuna e Dragashit dhe institucionet përgjegjëse ndërhyrje urgjente për pastrimin e saj dhe ndalimin e hapjes së deponive të reja.

Sipas reagimit të tyre, në këtë hapësirë po hidhen kafshë të ngordhura, mbetje betoni, plastikë dhe lloje të tjera mbeturinash, gjë që, sipas tyre, ka shkaktuar ndotje të mjedisit, erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin e banorëve.


"Në këtë vend po hidhen kafshë të ngordhura, mbetje betoni, plastikë, qese dhe lloje të tjera mbeturinash, duke e kthyer një hapësirë të bukur natyrore në një vatër ndotjeje, ere të padurueshme dhe rreziku për shëndetin e njerëzve", thuhet në reagimin e banorëve, raporton Telegrafi.

Ata shprehen se Opoja ka potencial për zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve ekonomike, por vlerësojnë se krijimi i deponive të mbeturinave dëmton perspektivën e zhvillimit të zonës.

Banorët kanë ngritur shqetësim edhe për, siç pretendojnë ata, shqyrtimin e mundësisë për hapjen e një deponie të re pranë lapidarit të një dëshmori të UÇK-së, duke e cilësuar një veprim të tillë si të papranueshëm.

"Po aq shqetësues është edhe fakti se po shqyrtohet hapja e një deponie tjetër pranë lapidarit të dëshmorit të UÇK-së. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe nuk përfaqëson respektin që u detyrohemi dëshmorëve", thuhet në reagim.

Në fund, banorët i kanë bërë thirrje Komunës së Dragashit, kryetarit të komunës dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për pastrimin dhe mbylljen e deponisë në Trokon, si dhe të ndalojnë çdo plan për hapjen e deponive të reja në zonat e banuara, pranë monumenteve dhe në hapësira me vlera natyrore.

Ata kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do ta adresojnë çështjen edhe te institucionet dhe organizatat për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë dhe në nivel evropian. /Telegrafi/