LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Buxhet refuzon kërkesën e KOSTT-it për ndarjen e 33 milionë eurove për rrymën në veri të Kosovës

Komisioni për Buxhet refuzon kërkesën e KOSTT-it për ndarjen e 33 milionë eurove për rrymën në veri të Kosovës
Foto: Arkiv

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere po shqyrton në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022.

Ky Komision po shqyrton një nga një kërkesat e institucioneve për mjete shtesë buxhetore. Megjithatë shumicën prej tyre deri tash i ka refuzuar.


Komisioni në fjalë ka refuzuar kërkesën e specializantëve për pagat. Po ashtu, Komisioni me shumicë votash ka refuzuar kërkesën e Institucionit të Avokatit të Popullit për krijimin e tetë pozitave të reja për punë, rritjen e fondit për paga dhe mëditje.

Kësisoj edhe kërkesa e KOSTT-it për 33 milionë euro për rrymën në veri është refuzuar nga grupi punues dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Gjithashtu, Komisioni ka refuzuar edhe kërkesën e Këshillit Gjyqësor për rritjen e buxhetit për këtë institucion.

Ndaj këtyre refuzimeve të kërkesave për Këshillin Gjyqësor dhe Avokatin e Popullit, ka reaguar deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, i cili tha se këto refuzime janë në kundërshtim me parimin e institucioneve.

Hoti tha se në këtë mënyrë siç po refuzohen kërkesat, Kuvendi dhe Komisioni për Buxhet di të vije në situatën për leximin e tretë të këtij buxheti.

Ndërsa, kryesuesi i grupit punues Eman Rrahmani tha se arsyet e refuzimit të këtyre kërkesave është për shkak të tavaneve buxhetore.

Komisioni ka refuzuar dy kërkesa të ARKEP-it për rritjen e buxhetit për paga dhe mëditje.

Gjatë shqyrtimit të kërkesave, Rrahmani tha se grupi punues ka vendosur të mos përkrahet kërkesa e AKI-së për punonjës shtesë dhe për paga.

Në fund, Komisioni pas shqyrtimit të grupit punues ka vendosur që mos të aprovohen 31 kërkesat e komunave në vend. /KP/Telegrafi/