Federata e Futbollit të Maqedonisë ka marrë vendime të ashpra ndaj KF Gostivari pas ndeshjes së javës së 29-të kundër Rabotniçkit, njofton Telegrafi.

KF Gostivari është dënuar me: Marrje të 9 pikëve nga sezoni aktual,gjobe prej 7.500 euro për organizim të dobët dhe prezencë të personave të paautorizuar në fushë, ndalesë për të zhvilluar 10 ndeshje si vendas në terrenin e tyre, që do të zhvendosen të paktën 100 km larg nga stadiumi i deklaruar. Gjithashtu, sanksione janë marrë edhe ndaj personave përgjegjës: Enes Usta, president i klubit, dhe trajneri Blazho Panov nuk do të kenë të drejtë për 2 vite që të zhvillojnë asnjë aktivitet në futboll, pasi udhëzuan lojtarët të braktisin ndeshjen. Futbollisti Alper Potuk është pezulluar për 2 vite të mos luaj futboll pasi që ishte pjesë e atyre që i ftoi futbollistët në ndërprerjen e ndeshjes. Të gjithë lojtarët e KF Gostivarit të regjistruar në protokoll janë gjobitur me nga 500 euro secili.


Ndërkaq, Klubi i Strugës është gjobitur me 5.000 euro për organizim të dobët të ndeshjes kundër Gostivarit, ndërsa ndaj Voska Sport është hapur procedurë për mos paraqitje në ndeshjen kundër AP Brera.

Me vetëm katër javë të mbetura deri në përfundim të kampionatit, mbetet e paqartë nëse KF Gostivari do të zgjedhë të vazhdojë garat pas këtyre gjobave, apo do të ndjekë shembullin e Voska Sport që javën e kaluar hoqi dorë nga pjesëmarrja në kampionat. /Telegrafi/

telegrafi sport app