Komedia "Streha e nemun" vjen në teatrin e Gjakovës
Nën regjinë e regjisorit Ilir Bokshi, me datë 9 prill 2025, me fillim nga ora 20:00 në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të shfaqet komedia “Streha e nemun”, e cila vjen në skenën e teatrit të Gjakovës pasi është shfaqur në Tiranë dhe në Prishtinë.
Shfaqja e zhanrit komedi “Streha e nemun” është e bazuar në veprën e njohur “Liza në Maj” , e autorit nga Hungaria, Pozsgai Zsolt.
Kjo shfaqje e bazuar në këtë vepër pasqyron dilemat ekzistenciale të njeriut modern, duke ndriçuar temat e dashurisë, vetmisë dhe kërkimit të kuptimit në jetë.
Personazhi kryesor i këtij rrëfimi është Lazojeta, 35 vjeçare, e cila me profesion është infermiere, ku përmes përpjekjeve të saj për të gjetur dashurinë dhe përmbushjen emocionale, ajo përballet me sfida, zhgënjime dhe reflektime të thella mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore.
Tutje bëhet e ditur që aktorët të cilët do të luajnë në këtë shfaqje janë Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Ardrian Morina. /Telegrafi/






























