Për përvjetorin e krijimit të Bankës së Shqipërisë dhe emetimit të monedhës kombëtare, është ekspozuar një koleksion i rrallë i kartëmonedhave, monedhave, stolive të përdorura nga shqiptarët, por edhe dokumente dhe fotografi.

Banka Qendrore e Shqipërisë, por edhe institucione të tjera të shtetit shqiptar posedojnë koleksione me vlera të rralla, fotografi, dokumente apo dhe artefakte që lidhen me historinë monetare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.


Ky koleksion që tashmë është i ekspozuar në Tiranë edhe për publikun vendas, por edhe vizitorët e huaj përfshin etapat e ndryshme historike para krijimit të shtetit shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua në shtator 1925 me emërtimin Banka Kombëtare e Shqipnis dhe në shkurt të vitit 1926 emetoi monedhën e parë kombëtare shqiptare me emërtimin "frangu ar", me nënfishat e tij "lekë".

Pikërisht për përvjetorin e këtyre dy ngjarjeve, në ambientet e selisë numër 2 të Bankës së Shqipërisë është ekspozuar një koleksion i rrallë i kartëmonedhave, monedhave, stolive të përdorura nga shqiptarët, por edhe dokumente, fotografi, sende dhe artefakte historike.

Besa Sinani Dhami, specialiste në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në një deklaratë për Anadolu tregon se qëllimi për ekspozitë “Paraja rrëfen" ka qenë afrimi i publikut me historinë e institucionit bankar dhe financiar.

Ajo thekson se koleksioni që i përket historisë monetare fillon që në përpjekjet e shqiptarëve para themelimit të institucionit bankar, që në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit.

Dhami shprehet se pjesë e koleksionit janë edhe kartëmonedha, monedha dhe dokumente të tjera që i pikasin periudhës osmane, që kanë qarkulluar në Shqipëri dhe më gjerë.

"Qëllimi i kësaj ekspozite sigurisht është që të ftojë vizitorin të njohë historinë 100-vjeçare të institucionit tonë bankar, por njëkohësisht dhe të parasë tonë kombëtare, që bashkërisht festojnë 100 vjetorin", thekson Dhami.

Në koleksion, por edhe në dokumentacion dhe sende të tjera janë të përfaqësuara periudhat e ndryshme, si ajo osmane, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, periudha e Republikës dhe Mbretërisë Shqiptare, ajo e Luftës së Dytë Botërore, e komunizmit dhe pas përmbysjes së regjimit komunist e deri në ditët e sotme.

"1925-ta zyrtarisht shënon krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Emetimet e kartëmonedhave vijnë rreth fillimit të vitit 1926, quhet frangu ar shqiptar, i cili prodhua në kartëmonedhë, por edhe në metal të çmuar për shqiptarët, me simbolikë shqiptare", rrëfen Dhami.

Sipas saj, ekspozita paraja rrëfen e ka fokusin vetëm në 100-vjetorin e krijimit të institucionit bankar shqiptar dhe kartëmonedhës kombëtare dhe se përmban gjithë etapat që ka kaluar Banka Kombëtare e Shqipërisë.

"Ky koleksion është shumë i vlefshëm për shtetin shqiptar, për shqiptarët, por dhe për ata që duan të dinë mbi financat e shqiptarëve. Kemi një pasuri të trashëguar, tashmë edhe të ekspozuar për publikun, për të njohur këto vlera monetare të prodhuara nga shteti shqiptar për shqiptarët", thekson ajo.

Përveç Tiranës, ky koleksion është ekspozuar edhe në Shkodër dhe Prishtinë dhe planifikohet të ekspozohet edhe në qyte të tjera.

Ekspozita është e organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të kulturës në Tiranë dhe me institucione të tjera, si Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë./Anadolu Agency/