Koci: Zgjedhjet mund të sjellin zgjidhje, PDK pa vija të kuqe ndryshon lojën politike

Analisti politik Melazim Koci në “Përballje Podcast” tha se zgjedhjet e reja parlamentare kanë gjasa më të mëdha të prodhojnë zgjidhje politike, por paralajmëroi se vendi është në prag të një krize të thellë nëse subjektet politike nuk tregojnë maturi dhe gatishmëri për kompromis.
Koci tha se pas një viti me tri palë zgjedhje nacionale e lokale, Kosova është futur në një cikël të papërballueshëm politik dhe institucional.
Sipas tij, pas zgjedhjeve të ardhshme, partitë politike nuk do të kenë më luks të vazhdojnë me bllokadë.
“Gjasat janë më të mëdha që pas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje, sepse subjektet politike do ta kuptojnë që në të kundërtën e dërgojnë Kosovën në humnerë,” deklaroi ai.
Koci vuri në dukje se një nga sinjalet pozitive për tejkalimin e krizës është qëndrimi i ri i PDK-së pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar, dhe paralajmërimi se kjo parti nuk do të ketë më “vija të kuqe”.
“Deklarimi i z. Hamza se PDK-ja nuk do të ketë vija të kuqe është një paralajmërim i mirë. Edhe urimi i kryeministrit Kurti ndaj tij ishte një sinjal politik që mund të lehtësojë komunikimin mes palëve,” tha Koci.
Megjithatë, analisti theksoi se procesi nuk do të jetë i lehtë. Pas zgjedhjeve, përveç formimit të qeverisë, partitë do të kenë përgjegjësi shumë më të madhe, sepse në paketë hyn edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës.
“Tani nuk duhen vetëm 61 vota. Duhet të arrihen 80 vota, sepse në pako do të jetë edhe zgjedhja e presidentes. Kjo e detyron secilën parti të negociojë seriozisht,” tha Koci.
- YouTube www.youtube.com
Ai shtoi se ndonëse diskursi politik i ditëve të fundit lë të kuptohet se partitë flasin për “dy palë zgjedhje”, në realitet kjo nuk do të ndodhë.
“Dy palë zgjedhje nuk do të ketë. Është thjesht pjesë e retorikës, sepse koha, afatet dhe proceset nuk e lejojnë një aventurë të tillë,” u shpreh Koci.
Në fund, analisti bëri apel që partitë të ulin tensionet, të shmangin gjuhën përçarëse dhe të përgatiten për kompromis, sepse stabiliteti i vendit po varet nga sjellja e tyre pas zgjedhjeve.

















































