Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një komunikate për media lidhur me nënshkrimin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.

Sipas njoftimit, thuhet se kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për të formuar këtë koalicion pa miratimin e partisë.


Në komunikatë, LDK njofton anëtarësinë dhe opinionin publik se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

LDK-ja ka bërë të ditur se vendimet për koalicione apo bashkëpunime do të merren vetëm pas një analize të performancës së kandidatit dhe degës në këtë komunë.

“LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet tutje në njoftim.

Partia më tej e quan veprimin e kandidatit si të pavlefshëm dhe në kundërshtim me parimet e saj të brendshme.

“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale”, thuhet në njoftim.

LDK thekson se aktualisht është e përqendruar në fushatën për balotazh dhe jo në marrëveshje me parti të tjera.

“LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/