Foshnja e lindur në javën e 21-të të shtatzënisë së nënës së saj, korrikun e kaluar në Iowa City të SHBA-së, sapo festoi ditëlindjen e parë – dhe ndër dhuratat ishte edhe një rekord botëror Guinness për beben e lindur më herët se të gjitha të lindurat para kohe – dhe që ka arritur të mbijetojë!

Nash Kin lindi më 5 korrik 2024 – 133 ditë para afatit të pritshëm të lindjes dhe peshonte vetëm 283 gramë, afërsisht sa një sapun më i madh. Gjashtë muajt e ardhshëm i kaloi në repartin e kujdesit intensiv për të sapolindurit në Spitalin Pediatrik të Qendrës Shëndetësore Universitare të Iowa-s. Në janar, u lirua për në shtëpi në Ankeny të shtetit amerikan, bashkë me prindërit Molly dhe Randall Kin, shkruan AP.


"Nash është një foshnjë e lumtur", tha Molly Kin të mërkurën, duke shtuar se që kur janë kthyer në shtëpi nga spitali, ai zakonisht fle tërë natën.

"Duke pasur parasysh sa kohë qëndroi në kujdes intensiv, njeriu do të mendonte se do të ishte një foshnjë e brishtë. Por nuk është. Ai është një djalë i vogël shumë i vendosur, kureshtar dhe gjithmonë i buzëqeshur", shtoi ajo.

Nash është pjesë e një numri gjithnjë në rritje të foshnjave të lindura skajshmërisht para kohe që po arrijnë të mbijetojnë falë mjekësisë moderne. Kur mbushi një vit, Libri i Rekordeve Guinness e shpalli atë si foshnjën e lindur më herët ndonjëherë që ka mbijetuar – duke thyer rekordin e mëparshëm të një foshnje nga Alabama e lindur në vitin 2020, për një ditë.

Prindërit kishin përjetuar më parë një humbje – shtatzënia e parë e Molly-t përfundoi me abort spontan. Atëherë ajo zbuloi se kishte një gjendje shëndetësore që mund t’ia vështirësonte bartjen e shtatzënisë deri në fund. Molly ishte e frikësuar se mund ta humbiste edhe Nash-in, kur gjatë një kontrolli rutinë në javën e 20-të të shtatzënisë zbuloi se ishte hapur tashmë 2 centimetra.

Mjekët zakonisht nuk përpiqen të shpëtojnë bebet e lindura para javës së 22-të të shtatzënisë, pasi shumica nuk arrijnë të mbijetojnë në atë fazë. Por Molly mësoi se ekipi i neonatologëve në spitalin Stead po përdorte protokolle për të shpëtuar foshnje të lindura në javën e 21-të. /Telegrafi/