“Kjo fitore është për ju që nuk dorëzoheni lehtë” - Big Basta reagon pas triumfit në Ferma VIP 2

Gerald Xhari, i njohur nga publiku si Big Basta, është fituesi i edicionit të dytë të Ferma VIP, reality shout që solli së bashku figura të njohura të skenës shqiptare në një sfidë intensive jetese në kushte rurale.
Pas triumfit të tij, artisti dhe producenti i njohur ka reaguar me një postim emocionues në Instagram, ku ndan reflektimet e tij pas këtij rrugëtimi të gjatë dhe të ngarkuar emocionalisht.
“Kjo fitore nuk ishte thjeshtë e imja por e të gjithëve ju që besuat tek unë”, shkruan ai në nisje të mesazhit, duke i falënderuar ndjekësit për mbështetjen e palëkundur gjatë gjithë kohës në fermë.
Big Basta theksoi se fitimi i çmimit nuk ishte vetëm një sukses personal, por një simbolikë për të gjithë ata që zgjedhin edukatën, qytetarinë dhe dinjitetin përballë bullizmit dhe arrogancës.
Ai theksoi me bindje se “ne nuk jemi pak”, duke iu referuar një grupi të madh njerëzish që vlerësojnë durimin, punën dhe integritetin, por që shpesh nuk bërtasin aq sa duhet për t’u dëgjuar.
“Bullizuesit bërtasin më fort dhe mbushin lajmet e para, dhe që deri dje faktorizoheshin në habitatin e krijuar për ta”, vijoi ai në reagimin e tij.
Në postimin e tij, Xhari nuk la pa falënderuar edhe stafin e Ferma VIP për profesionalizmin dhe përkushtimin që kanë treguar gjatë gjithë eksperiencës, veçanërisht në momentet e vështira.
Një pjesë shumë e ndjerë e reagimit ishte edhe dedikimi për familjen, partneren e tij Vesa Luma dhe djalin e tyre Lian, të cilët i përmend si forcë frymëzuese dhe arsyeja që i dha kurajo në çdo ditë të sfidës së tij.
“Tani jam më i qetë kur fle në jastëkun tim, me familjen time në krah, sepse misionin tim e mbarova me sukses”, përfundon ai.
Fitorja e Big Bastës në këtë format është vlerësuar nga shumë ndjekës si triumfi i maturisë, qëndrueshmërisë dhe karakterit të fortë, duke e rikujtuar opinionit publik se spektaklet nuk maten vetëm me zhurmë, por edhe me mesazhin që përcillet dhe mënyrën si mbahen vlerat brenda lojës. /Telegrafi/


























































