Kim Min-jae drejt rikthimit në Serie A, dy gjigantët italianë në garë për mbrojtësin korean

Kim Min-jae mund të rikthehet në Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi si Milani ashtu edhe Juventusi po e ndjekin me kujdes situatën e mbrojtësit të Bayern Munich.
Mbrojtësi i përfaqësueses së Koresë së Jugut e njeh mirë futbollin italian, pasi shkëlqeu me Napolin gjatë sezonit 2022/23, ku ndihmoi klubin të fitonte titullin e kampionit pas më shumë se tri dekadash.
Performancat e tij të jashtëzakonshme e bënë që vlera në treg t’i dyfishohej, duke siguruar një transferim te Bayern Munich për rreth 50 milionë euro.

Megjithatë, në Bundesligë ka pasur vështirësi për të siguruar një vend titullari dhe sipas “La Gazzetta dello Sport” dhe “Calciomercato.com”, Kim po e shqyrton seriozisht një rikthim në Itali gjatë janarit.
Juventusi po kërkon përforcime në qendër të mbrojtjes pas lëndimit të radhës së Gleison Bremer, ndërsa shpreson që deri atëherë të jetë ende në garë për Ligën e Kampionëve.
Nga ana tjetër, Milani e kishte kontaktuar Kimin që në verë, por më pas zgjodhi të fokusohej te objektiva të tjerë.
Pengesa më e madhe për të dy klubet mbetet paga e lartë e mbrojtësit, që arrin në rreth 9 milionë euro në sezon – një shumë që do ta bënte edhe huazimin e tij mjaft të kushtueshëm./Telegrafi/






















































