ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ushtarët amerikanë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, po zhvillojnë patrullime të rregullta përgjatë asaj që kjo forcë ndërkombëtare e sigurisë e quan Vijë Administrative Kufitare (e që në fakt është kufiri i Republikës së Kosovës), në zonën e tyre të përgjegjësisë, e cila lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kështu thuhet përmes një postimi në rrjetin social të KFOR-it, që potencon se këto patrullime realizohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e vetëdijes për situatën në terren, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme në terren.


Përfaqësia e NATO-s thekson se këto aktivitete pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe transparente.

KFOR rikujton se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, kjo forcë nënvizon se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë. /Telegrafi/