Këto janë vendet më me erë të keqe në çdo shtëpi - kontrollojini menjëherë

Era është shpesh një element i neglizhuar i shtëpisë, megjithëse ndikon fuqishëm në përjetimin e hapësirës, ndjesinë e pastërtisë dhe komoditetit, por edhe në ndjesi të kundërta, negative, kur bëhet fjalë për aroma të pakëndshme
Sifonët, pajisjet shtëpiake, dyshekët, tekstilet, instalimet dhe vendet e vështira për t’u arritur kanë ndikim më të madh në freskinë e ambientit sesa mobiliet dhe dekorimet e dukshme. Qoftë lavastovilja me erë të rëndë, aromat misterioze nga shkarkimi i dushit apo kafshët shtëpiake, shumë nënprodukte të jetës së përditshme mund ta mbushin shtëpinë me erëra të pakëndshme, gjë që sigurisht e prish atmosferën, sidomos gjatë periudhës festive.
Në portalin Real Simple janë përpjekur të renditin pothuajse të gjitha vendet në shtëpi që duhet t’i kontrolloni për të gjetur “burimin e erës”.
Koshi i mbeturinave
Mbetjet ushqimore dhe thërrimet mund të grumbullohen me kalimin e kohës dhe të krijojnë erëra të pakëndshme në koshin e mbeturinave, edhe nëse e zbrazni rregullisht. Për një zgjidhje të shpejtë, përdorni aromatizues shtëpie me spërkatje, ndërsa për mirëmbajtje afatgjatë të koshit sa më të freskët (aq sa është e mundur), pas larjes spërkateni me zbardhues të holluar dhe lëreni të qëndrojë disa orë, më pas shpëlajeni mirë me sapun dhe ujë. Këtë këshillë e ndajnë ekspertët e shërbimeve të pastrimit në Dallas.
Frigoriferi
Frigoriferi është një nga vendet e para që duhet kontrolluar kur ndieni një erë të çuditshme nga kuzhina. Aromat mund të shfaqen për shkak të pijeve të derdhura, ushqimeve me afat të skaduar dhe kapakëve të lirshëm në enët me mbetje ushqimi. Edhe pse temperatura e ulët e frigoriferit ngadalëson rritjen e baktereve, ajo nuk e ndalon plotësisht dhe kjo çon në aroma të qëndrueshme.
Është e rëndësishme të pastroni rregullisht frigoriferin dhe të kontrolloni ushqimet e harruara. Verifikoni datat e skadencës dhe hidhni gjithçka që është e vjetër. Kontrolloni nëse ushqimet e mbetura, që janë ende të mira, janë të mbështjella ose të mbyllura fort. Fshini dyert dhe sirtarët për të hequr mbetjet e derdhura, transmeton Telegrafi.

Rëra e maceve dhe vendet e qëndrimit të kafshëve shtëpiake
Lajeni kafshën tuaj rregullisht dhe pastroni vendet ku fle dhe ushqehet një herë në javë me sapun dhe ujë (pa kimikate të forta). Fshini nën shtretër dhe divane për të shmangur grumbullimin e qimeve (dhe erërave). Nëse keni kuti me rërë, pastroni rregullisht zonën rreth saj. Një freskues i mirë ajri gjithashtu mund të ndihmojë në ruajtjen e një ambienti më të këndshëm, me më pak erëra nga kafshët shtëpiake.
Rrobat e lagura
Mos e mbani shportën me rroba të pista në banjë. Në vend të kësaj, mbajeni në dhomën e gjumit ose në një dollap tjetër, ku nuk do të jetë e ekspozuar ndaj avullit nga dushi dhe banja. Bakteret rriten në mjedise të lagështa dhe pikërisht kjo e mbush hapësirën me erë të keqe. Edhe nëse sipërfaqet i keni pastruar me një mjet të mirë për dushin, era e rrobave të pista do të mbetet. Prandaj, nëse keni rroba të lagura e të pista, lajini sa më shpejt.
Dollapi i këpucëve
Kur keni një dollap plot me këpucë, i gjithë ambienti mund të marrë erë të pakëndshme. Këpucët grumbullojnë djersë dhe papastërti, duke krijuar një mjedis ideal për bakteret. Pa ventilim të duhur, gjë që ndodh shpesh te dollapët e këpucëve, lagështia dhe bakteret e bllokuara krijojnë aroma të forta dhe të pakëndshme. Këpucët vetë mbajnë lagështi dhe kur vendosen në një dollap të tillë, era vetëm sa përkeqësohet.
Prandaj, sigurohuni t’i ajrosni mirë këpucët nga djersa ose shiu. Lajini ose fshijini për të hequr papastërtitë dhe mbajini në një vend me qarkullim të mirë ajri. Gjithashtu, mund të përdorni freskues ose deodorantë për këpucë në dollap.
Çarçafët dhe dysheku
Dyshekët mund të zhvillojnë erëra të pakëndshme për shkak të lagështisë ose marimangave, ndërsa çarçafët thjesht nga përdorimi. Nëse flini i djersitur ose hani mëngjes në shtrat, djersa, kafeja dhe thërrimet mund të grumbullohen në sipërfaqen e dyshekut dhe të shkaktojnë probleme. Lëngjet gjithashtu mund të depërtojnë në dyshek dhe në mbushjen e tij, duke krijuar erë të ndenjur.
Pluhuri, zbokthi dhe qelizat e vdekura të lëkurës mund të grumbullohen gjithashtu nëse dysheku nuk pastrohet dhe ajroset siç duhet; e njëjta gjë vlen edhe për çarçafët, të cilët, sipas rekomandimeve të ekspertëve, duhet të ndërrohen një herë në javë.
Dysheku duhet pastruar çdo gjashtë muaj me fshesë me korrent dhe duke përdorur një përzierje uji dhe peroksidi hidrogjeni për heqjen e njollave. Spërkatja me sodë buke dhe lënia e saj rreth një orë para fshirjes ndihmon gjithashtu në neutralizimin e aromave dhe parandalimin e rritjes së baktereve.
Rrobalarësja
Pajisjet shtëpiake që janë vazhdimisht në kontakt me ujin mund të zhvillojnë myk, duke krijuar kushte ideale për bakteret që shkaktojnë erëra të pakëndshme. “Çdo herë që hapni dhe mbyllni derën e rrobalarëses, lagështia nga çdo cikël larjeje mbetet e bllokuar brenda saj”, theksohet në tekstin e Real Simple.
Sirtari i detergjentit gjithashtu mund të mbajë lagështi dhe myk. Për ta parandaluar këtë, gjithmonë lini derën dhe sirtarin e detergjentit hapur për disa orë pas ciklit të fundit të larjes. Nëse vëreni myk, fshini zonat e prekura me një përzierje uthulle alkoolike dhe sode buke në raport 1:1. Përdorimi i rregullt i pastruesve të posaçëm ndihmon gjithashtu në zgjatjen e jetëgjatësisë së saj.

Enëarësja
Edhe kjo pajisje mund të zhvillojë myk dhe, natyrisht, erëra shoqëruese. Zgjidhni këtë problem duke kryer rregullisht cikle bosh me ujë të nxehtë për të pastruar pjesën e brendshme, duke përfshirë shportën e takëmeve, filtrin, panelet dhe derën. Nëse shporta e takëmeve bëhet myk, nxirreni dhe zhytni në vaskë me zbardhues të holluar dhe ujë të ngrohtë për 30 minuta. Shpëlajeni mirë para se ta vendosni sërish; mund të përdorni edhe një mjet komercial cilësor për heqjen e mykut.
Meqë thërrimet dhe copat më të mëdha të ushqimit përfundojnë në filtrin e saj, ato mund të bëhen burim i një ere shumë të keqe. Nëse nuk mbani mend herën e fundit kur e keni pastruar filtrin, ky është sinjali për ta bërë tani.
Shkarkimi i dushit
Shkarkimi i dushit mund të mbajë papastërti që me kalimin e kohës fillojnë të kundërmojnë. Grumbullimi i flokëve, shkumës së sapunit dhe papastërtive krijon një mjedis ideal për bakteret dhe mykun, që mund të jenë shkaku i aromave të pakëndshme. Nëse kjo përhapet nëpër tuba, problemi bëhet edhe më i madh. Prandaj, pastrimi i rregullt i shkarkimit është thelbësor.
Mund ta pastroni shkarkimin duke përdorur një mjet komercial ose duke përzier sodë buke me uthull alkoolike dhe ujë të nxehtë. Vendosja e një mbajtëseje për flokët ndihmon gjithashtu në parandalimin e grumbullimit dhe ruajtjen e shkarkimit pa erë.
Në përgjithësi, kushtoni vëmendje të veçantë gjithçkaje që përmban ujë ose lagështi. Kuzhinat, banjat dhe bodrumet mund të jenë vende që, pikërisht për shkak të mbetjeve të ujit, kundërmojnë.
WC-ja
Pastrimi i rregullt i WC-së me produkte komerciale dhe preparate shtëpiake është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e higjienës dhe aromës së këndshme të ambientit. Pastruesi i WC-së duhet të kryejë punën brenda vetë tasit, por po aq e rëndësishme është edhe çfarë përdorni për pastrimin e gjithë banjës. Mos harroni leckën prej mikrofibre për pjesët e jashtme të WC-së, me të cilën do të hiqni grimcat që, edhe pse të padukshme, mund të jenë burim erërash të pakëndshme.
Aparati i kafesë
Nëse aparati i kafesë nuk pastrohet siç duhet, llumi mund të krijojë një shtresë të trashë, duke prodhuar një erë shumë të pakëndshme që mysafirët tuaj nuk do ta injorojnë. Pastrimi i rregullt i aparatit ndihmon në ruajtjen e aromës së freskët të pajisjes dhe të kafesë suaj të përditshme, si dhe ia zgjat jetëgjatësinë.
Rrjedhja e tubave
Si tubat e ujit ashtu edhe ata të gazit mund të jenë shkak i erërave të pakëndshme. Tubat e ujit fillojnë gradualisht të kundërmojnë kur myku fillon të rritet në ujin e ndenjur, ndërsa ata të gazit shumë më shpejt, kur aroma e squfurit hyn në shtëpi. Prandaj, nëse ndieni erë myku ose lagështie që vjen nga muret, duhet të thërrisni një hidraulik për të kontrolluar nëse ka rrjedhje uji.
Te gazi situata mund të jetë më e rrezikshme; nëse ndieni erë squfuri në ajër, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme. Largohuni menjëherë nga shtëpia dhe telefononi shërbimin e gazit ose zjarrfikësit për t’u siguruar se nuk ka rrjedhje të rrezikshme.

Shkarkimi i enëarëses
Tubi që zbret poshtë pjesës tjetër të instalimeve, në formë U nën lavaman, mban një sasi uji që vepron si pengesë kundër hyrjes së gazrave të kanalizimit me erë të keqe në shtëpi. Megjithatë, ky tub mund të jetë edhe burim aromash të pakëndshme, veçanërisht nëse lavamani nuk përdoret shpesh.
Ky problem zgjidhet lehtësisht: sigurohuni që të gjitha enëlarëset dhe dushët në shtëpi të përdoren disa herë në javë, në mënyrë që të ketë gjithmonë ujë të freskët që mban nën kontroll erën e kanalizimit. Nëse largoheni për disa javë, mund të hidhni një ose dy lugë vaj mineral në shkarkim për të ngadalësuar procesin e avullimit.
Instalimet elektrike
Nëse në shtëpinë tuaj ndieni një erë të pakëndshme, të ngjashme me peshkun, kjo mund të tregojë një problem serioz me instalimet elektrike. Përpiquni ta lokalizoni erën te një prizë ose pajisje e caktuar dhe ndërprisni përdorimin e saj derisa një elektricist ta kontrollojë problemin. /Telegrafi/

















































