Këtë fundjavë nuk do të zhvillohen ndeshje futbolli në Maqedoni, pasi Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) ka pranuar rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për të shtyrë të gjitha takimet për shkak të mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale, njofton Telegrafi.

Janë publikuar terminet e reja për ndeshjet e shtyra të javës së dhjetë, ndërsa vëmendjen më të madhe, sigurisht, e tërheq derbi i madh mes Shkëndijës dhe Vardarit, i cili do të luhet në “Stadiumin e Qytetit” në Tetovë.


Përballja mes Shkëndijës dhe Vardarit është caktuar për të hënën, më 27 tetor, me fillim nga ora 13:30.

Xhiroja e dhjetë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë do të nisë të premten (më 24 tetor) me ndeshjet Bashkimi – Shkupi dhe Tikveshi – Arsimi (në orën 14:30).

Të nesërmen, pra të shtunën, do të luhen takimet Rabotniçki – Makedonija GP dhe Struga – Brera (në orën 14:30), ndërsa të dielën (më 26 tetor) është parashikuar vetëm një ndeshje – Sileksi kundër Pelisterit (në orën 13:30). /Telegrafi/

telegrafi sport app