Këshilltarja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Meliza Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës lidhur me trajtimin e çështjes së Kishes Ortodokse Serbe në dialogun me Serbinë dhe në Marrëveshjen e Brukselit.

Përmes një reagimi ne Facebook, Haradinaj tha se lejimi i përfshirjes së kësaj çështjeje në marrëveshje përbën, sipas saj, një nga dështimet më të rrezikshme strategjike ndaj Republikës së Kosovës.


Ajo theksoi se pika 7 e marrëveshjes, që sipas saj parasheh formalizimin e një statusi special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, rrezikon të krijojë privilegje të njëanshme për një institucion fetar dhe të diskriminojë konfesionet e tjera në vend, si Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike në Kosovë.

Sipas Haradinajt, referenca për “modele evropiane” në marrëveshje nuk është e paqartë, pasi Serbia – siç tha ajo – synon modelin e Mount Athos në Greqi, një territor me autonomi të veçantë ku strukturat kishtare kanë kompetenca të gjera vetëqeverisëse.

Ajo përmendi gjithashtu deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me vendimin për 24 hektarët e tokës së Manastirit te Deçanit, për të cilin ai kishte thënë se ishte marrë “për hatër të tij”.

Sipas Haradinajt, trajtimi i çështjeve që lidhen me tokën dhe sovranitetin e Kosovës si favore personale është shqetësues dhe dëmton parimin e barazisë para ligjit.

“Patriotizmi matet me akte dhe vendime që mbrojnë sovranitetin juridik të shtetit, e jo me slogane apo propagandë në rrjete sociale”, ka shkruar ajo, duke shtuar se deklarata të tilla e rrëzojnë, sipas saj, narrativën e pseudo-patriotizmit./Telegrafi