Kënga për Kosovën u kushton me padi serbëve në Kroaci

Një ndejë tradicionale e organizuar nga serbët për Vitin e Ri në Zagreb të Kroacisë, ku performoi këngëtarja serbe Snezhana Gjurishiq ka nxitur shumë reagime në Kroaci për shkak të një kënge për Kosovën.
Pjesë nga kjo këngë u shpërndanë menjëherë në ballinat e tabloideve serbe. “Kudo që shkoj, kthehem te ti sërish. Kush mund të ma vjedhë Kosovën nga shpirti”, janë pjesë nga kënga e Vidovdanit, që tash i ka kushtuar këngëtares Gjurishiq.
Pos marrjes së vëmendjes mediatike, Këshilli Kombëtar Serb tani po përballet me padi nga këshilltari i qarkut Vukovar-Srijem, Nikola Kajkiq. “Gjatë asaj mbrëmjeje, performues nga Serbia dhe muzikantë nga Serbia interpretuan këngë të ndryshme që kishin elemente dhe karakteristika të kundërvajtjes dhe veprës penale të nxitjes së urrejtjes e përçarjes në baza kombëtare e fetare”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
E këngëtarja Gjurishiq e pyetur për këtë ka thënë se është pritur mirë nga publiku teksa ka shtuar se është ajo që duhet të ngrejë padi ndaj Kajkiqit “për fjalët e rënda”.
“Sepse e kam kënduar këngën time që nuk e ofendojnë askënd. Dhe kushdo që e quan atë mbrojtës, lëreni ta mbrojë veten dhe ta pastrojë shpirtin nga urrejtja që ka ndaj njerëzve”, ka thënë ajo për RTL Danas.
“Mbrëmja Serbe”, që organizohet tradicionalisht nga Këshilli Kombëtar Serb në Kroaci, është një prej mbledhjeve më të mëdha të komunitetit serb në Kroaci dhe financohet pjesërisht me para të shtetit.
Edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është pyetur për këtë çështje. Ai ka thënë se Kosova e Kroacia kanë raporte të shkëlqyeshme që s’mund të dëmtohen nga ngjarje të tilla. “Është e parëndësishme të komentoj mbi një këngë që u këndua në një hapësirë të mbyllur para një shoqërie që dihet se çka mendojnë për Kosovën”, ka thënë ai.



















































