LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Kur Erdogani u bë president në Turqi, ranë sulmet terroriste edhe në vendet perëndimore (Video)

Kelmendi: Kur Erdogani u bë president në Turqi, ranë sulmet terroriste edhe në vendet perëndimore (Video)

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi ka thënë se fitorja e Recep Tayyip Erdoganit në Turqi është e merituar, për shkak të punës së tij.

“Në parim, fitorja e Erdoganit është e merituar, e cila është e arritur në bazë të punës që ai ka bërë si kryeministër por edhe si president”.


Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se pasi Erdogani u bë president, ai solli një stabilitet në Turqi dhe rajon.

“Faktorët që i kanë sjellë rezultatin atij janë të shumtë, por pas marrjes së postit të presidentit, ai solli një stabilitet në Turqi, rajon dhe mbarë globin në përgjithësi”.

Sipas Kelmendit, pasi Erdogani u bë President sulmet terroriste në Turqi dhe Evropë u reduktuan, përcjell Telegrafi.

“Kemi rënie të dukshme të aktiviteteve terroriste, jo vetëm në Turqi, por mbarë rajonin, por edhe në vendet perëndimore”, është shprehur kryetari i partisë “Fjala”.

Sipas Kelmendit, para ardhjes së Erdoganit në pushtet, në Turqi janë shtypur të drejtat e myslimaneve.

“Demokracia ka qenë e shtypur në Turqi deri në vitin 2002. Ka qenë vendi me modelin më të keq të ‘demokracisë’, pasi janë bërë tri grusht shtete, dhe janë bërë vrasje masive”, ka shtuar më tej Kelmendi./Telegrafi/