LAJMI I FUNDIT:

KEK sqarohet rreth shpimeve në Kuzmin të Fushë Kosovës

KEK sqarohet rreth shpimeve në Kuzmin të Fushë Kosovës

Korporata Energjetike e Kosovës njofton se është duke realizuar një program të shpimeve hulumtuese në sipërfaqe të kufizuara në zonën kadastrale të Fushë Kosovës, sipas vendimit të Qeverisë, i cili për qëllim hulumtimet gjeologjike dhe gjeomekanike të masave potenciale të qymyrit në zonën e mundshme të eksploatimit linjitit.

Duke pasur parasysh se gjatë realizimit të këtij programi nevojitet qasja edhe në disa prona private, që nga fillimi këtij aktiviteti është formuar komisioni i veçantë nga KEK-u që merret me vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve eventuale që mund të shkaktohen për pronarët privat.


Në parim, të gjithë pronarët njoftohen paraprakisht rreth aktiviteteve eventuale në pronat e tyre private.

Ne lidhje me këtë, nesër në Kuzmin, nga ora 10.00, është caktuar një takim me të gjithë banorët të cilët potencialisht mund të preken nga ky aktivitet, lidhur me procedurat e kompensimit të dëmeve eventuale.

Ndryshe, për realizimin e këtij programi është lëshuar edhe licencë hulumtuese nga Komisioni Pavarur i Minierave dhe Mineraleve (KPMM).