KDI: Institucionet, neglizhente ndaj korrupsionit

Kjo qendër - në një konferencë për media të mbajtur të enjten - ka vlerësuar se deri më tani, lufta kundër korrupsionit ka qenë më shumë deklarative.
Merita Mustafa, menaxhere e programit “Transparenca dhe Antikorrupsioni”, ka thënë se një shqetësim mjaft serioz është mungesa e vullnetit për ta ndërtuar infrastrukturën e duhur ligjore që lufton korrupsionin, ku mungojnë ligjet bazike që ndihmojnë luftimin e korrupsionit.
“Deri më tani, mungon Ligji për Financimin e Partive Politike, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë, Strategjia anti-korrupsion është miratuar nga Qeveria pa u marrë parasysh rekomandimet e Këshillit Evropian dhe të shoqërisë civile. Qeveria ka miratuar Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, por në ligj mungon elementi thelbësor i transparencës - mos-bërja publike e pasurisë së zyrtarëve”, ka thënë Mustafa.
Vërejtjet e ekspertëve të Këshillit të Evropës – sipas saj – kanë treguar se strategjia nuk ka përshkruar aktivitete specifike dhe se nuk ka pasur lidhje të qartë në mes të strategjisë anti-korrupsion dhe planit të veprimit.
Kjo qendër ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të intensifikojë përpjekjet në bërjen e ligjeve themelore që luftojnë korrupsionin – dhe ka rekomanduar ndërmarrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse: Nxjerrjen sa më të shpejt e Ligjit për Financimin e Partive Politike; përfshirjen e rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe instancave tjera ndërkombëtare në Ligjin për Financimin e Partive Politike; në strategjinë anti-korrupsion, të vendosen objektivat dhe prioritetet e qarta për politikat kundër-korrupsion; paraprakisht të bëhet vlerësimi i situatës - studim i mirëfilltë; Të bëhen publike pasuritë e personave publik. /Telegrafi/




















































