Katie Price ka ngjallur shqetësim mes ndjekësve të saj pasi është paraqitur më e dobët se kurrë në postimin e fundit në Instagram.

Ylli britanik, 47-vjeçare, është vërshuar me komente nga fansat të cilët janë të shqetësuar për pamjen e saj, pasi ajo ka treguar një siluetë tejet të hollë në disa nga fotografitë e fundit, shkruan The Sun.


Në imazhin e publikuar, Katie shfaqet me një fustan të gjatë veror me dekolte të thellë, duke theksuar trupin e saj tepër të dobët, me supe dhe krahë shumë të hollë, por edhe me gjoks të madh. Ish-modelja pozon me flokët e kapura lart në një bisht të gjatë dhe me grim të theksuar në fytyrë.

Foto: Katie Price/Instagram

Disa ndjekës kanë ngritur pyetje nëse ajo ka përdorur injeksione të njohura për humbje peshe, por Katie e mohon fuqishëm këtë. Ajo ka treguar se thjesht është rikthyer në përmasat e saj natyrale pas një periudhe të vështirë me shtim peshe për shkak të IVF-së dhe mungesës së aktivitetit fizik pas një dëmtimi në këmbë në vitin 2020.

Gjatë një interviste në podcastin Disruptors, prezantuesi Rob Moore e pyeti direkt për këtë çështje, por Katie i qëndroi deklaratës së saj se nuk ka përdorur të ashtuquajturat "injeksione dobësimi".

“Njerëzit thonë që kam humbur shumë peshë,” tha ajo, teksa Rob vërejti se kjo është e dukshme. Katie shtoi: “Në janar po del një program televiziv për rrugëtimin tim me IVF. Kushdo që ka kaluar IVF e di që shton peshë. Kam bërë tre IVF gjatë 15 muajve të fundit, por asnjë nuk funksionoi”.

Ajo tregoi se gjithçka kishte nisur që kur theu këmbët: “Më thanë që s'do të vrapoja më kurrë. Nuk mund të bëja ushtrime, as të ngisja kuajt, isha në karrocë për dhjetë muaj. Ishte periudha e COVID-it, dhe duke qenë se nuk lëvizja, normalisht që shtova peshë”.

“Më pas duhej të mësoja të ecja sërish, por ngadalë. Ende nuk mund të vrapoj, sepse kam vida në këmbë. Pastaj bëra IVF, trupi im u mbush me hormone, dhe i duhet kohë për të hequr të gjitha ato”, shtoi ajo.

“Por njerëzve u them – nëse shikoni fotografi të vjetra të miat, madje edhe pas lindjes së fëmijëve, unë gjithmonë i kthehem përmasave të mia. Gjithmonë kam qenë e hollë. Dhe mendoj se këto tre vitet e fundit kam qenë më e shëndoshë, për këto arsye që përmenda”.

Foto: YouTube/@RobMooreDisruptors

“Tani që procesi i IVF ka kaluar dhe jam më aktive sepse mund të lëviz më shumë, po ngas përsëri kuajt, jam kthyer natyrshëm në formën time atletike”, përfundoi ajo.

Kur Rob e pyeti sërish nëse kishte përdorur ndonjëherë Ozempic, ajo e mohoi: “Jo, por Harvey (djali i saj) po e përdor. Kështu që kam pasur takime me mjekët për këtë”.

Katie shtoi: “Kur bëhet fjalë për ilaçe të tilla, sidomos për dikë si Harvey që ka shumë barna të tjera, njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Unë s’kam pasur kurrë nevojë për Ozempic. Gjithmonë kam qenë e hollë. Shikoni fotot e mia të vjetra – gjithmonë kam qenë e vogël”. /Telegrafi/