Kasami mori mandatin e dytë: Tetova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim

Bilall Kasami sot e ka marrë mandatin për udhëheqjen e Komunës së Tetovës në katër vitet e ardhshme. Në një postim në Facebook, ai shkruan se Tetova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim.
"Sot zyrtarisht mora mandatin për të udhëhequr me Komunën e Tetovës në katër vitet e ardhshme. Është nder dhe privilegj i madh të jem në shërbim të qytetarëve tanë, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen".
"Tetova jonë ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim dhe tani është koha që këtë ta vazhdojmë edhe në Kapitullin e Dytë. Ftoj të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Tetovën tonë", ka shkruar Kasami.
Ndryshe, në zgjedhjet lokale në raundin e dytë ai fitoi ndaj Bajram Rexhepit të koalicionit AKI, me rreth pesë mijë vota dallim./Telegrafi/

















































