Kartoni i kuq i Hugo Ekitike kundër Southampton do t'i kushtojë atij mbi gjysmë milioni euro

Hugo Ekitike do të përballet me një gjobë të konsiderueshme nga Liverpooli pas përjashtimit në raundin e tretë të EFL Cup ndaj Southamptonit (2-1), menjëherë pas shënimit të golit të fitores, shkruan Mirror.
Sulmuesi francez mori kartonin e dytë të verdhë për heqjen e fanellës gjatë festimit të golit, duke rezultuar në karton të kuq dhe përjashtimin e tij nga loja. Ai kishte marrë më parë një paralajmërim për protestën ndaj gjyqtarit Thomas Bramall, kur hodhi topin në shenjë pakënaqësie. Ekitike hyri në fushë në vend të Alexander Isakut, i cili kishte shënuar golin e epërsisë për Liverpoolin.
Për shkak të këtij kartoni të kuq, sulmuesi do të humbasë ndeshjen e Ligës Premier kundër Crystal Palace në "Selhurst Park" këtë fundjavë.

Por pezullimi nuk është i vetmi sanksion. Sipas The Daily Mail, Liverpooli ka vendosur të gjobisë Ekitike duke i zbritur pagat e dy javëve. Duke marrë parasysh se paga e tij vjetore raportohet të jetë midis 15 dhe 16 milionë eurosh, kjo do të thotë se francezi një humbje prej rreth 570,000 euro.
Trajneri Arne Slot nuk e fshehu zhgënjimin e tij për mungesën e disiplinës nga lojtari dhe e kritikoi ashpër veprimin e tij gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes.
“Kartoni i parë ishte tashmë i panevojshëm dhe disi budalla, sepse duhet të kontrollosh emocionet e tua. E di sa e vështirë është të luash në Ligën Premier dhe të përballesh me mbrojtës që mund të bëjnë pothuajse çdo gjë, por kjo nuk justifikon reagime të tilla”, tha Slot.

Ky incident tregon rëndësinë që Liverpooli vendos mbi disiplinën e lojtarëve të tij, dhe Ekitike do të duhet të mësojë nga ky gabim për të ardhmen. /Telegrafi/



















































